Nga Agim Nesho
Shenjat e para të dështimit të projektit Ballkani i Hapur u vunë re që me nisjen e konfliktit të armatosur të Rusisë kundër Ukrainës. Perëndimi e kuptoi që politikat e Rusisë jo vetëm ishin revizioniste për ndryshimin e rendit botëror të bazuar në ligj, por tentonin të ndryshonin arkitekturën e sigurisë europiane. Rajoni i Ballkanit Perëndimor është një nga rajonet më të nxehta, ku Moska kërkon të zgjerojë zonat e saj të influencës e përkrahur nga Vuçiç e Dodik, fryma e re e nacionalizmit serb, si dhe nga individë të korruptuar, që pushtetet autokratike i shikojnë si shpëtim të regjimeve të tyre autoritare e kleptokrate. Ndërsa Perëndimi ktheu vëmendjen ndaj Ballkanit si një rrezik potencial, Rama-Vuçiç shtuan përpjekjet që ky projekt antieuropian të legjitimohej sa më shpejt.
Argumentet e lobistëve dhe organizatave amerikane si ‘Open Society’, që përkrahnin projektin, vazhdojnë të mbrojnë idenë se ky projekt do të sjellë paqen dhe stabilitetin në Ballkan, duke u dhënë një zgjidhje kërkesave të nacionalistëve serbë se një ndarje e re për Kosovën duhet të bëhet, për të vendosur disbalancat e krijuara në fillim të shekullit. Ata insistojnë se kur Rama si ‘përfaqësues’ i shtetit shqiptar pranon një projekt që rikthen dominimin serb në Ballkan dhe pranon të jetë pjesë e një projekti që rikthen Jugosllavinë, pse të mos tentojnë për të afruar Serbinë nga Perëndimi.
Por ndërsa administrata e kaluar amerikane kishte një qasje të ndryshme ndaj Rusisë dhe zyrtarët e Departamentit të Shtetit, si Palmer, u entuziazmuan nga iniciativa e vetofruar e liderëve ballkanikë Rama-Vuçiç, jo për qëllimet e saj, por për të shfrytëzuar një rast në promovimin e karrierës së tyre, Administrata Biden e sensibilizuar nga situata e re gjeopolitike dhe qëndrimi konsekuent ndaj Rusisë po e shikon me kujdes dhe dyshim këtë iniciativë.
Me dyshim se Uashingtoni kupton se Serbia nuk po shkëputet dot nga orbita e interesave ruse, dhe me kujdes sepse kjo iniciativë antieuropiane mund të bëhet shkak për nxitjen e konflikteve të reja në Ballkan. Megjithëse presionet janë të mëdha për ta shtyrë këtë iniciativë në Uashington, Paris, etj., duke e ofruar edhe si pikë kompromisi për të ardhmen në qoftë se Perëndimi do të ulet me Rusinë për një zgjidhje afatgjatë, zoti Eskobar ka mbajtur një qëndrim të qartë dhe parimor: – Pranojmë Ballkanin e Hapur vetëm si iniciativë ekonomike dhe me pjesëmarrjen e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pavarësisht se projekti nuk ka një kontroll nga BE, si Procesi i Berlinit, dhe mund të dominohet nga interesat serbo-ruse, pengesa e pakapërcyeshme është respektimi i 6 vendeve si të barabarta dhe sovrane.
Prandaj e gjithë veprimtaria e atyre që duan të realizojnë Ballkanin e Hapur u drejtua ndaj dy vendeve, Mali i Zi dhe Kosova. Në Kosovë, iniciativa e Ballkanit të Hapur ka gjetur një disaprovim në të gjithë klasën politike për vetë mënyrën e mosnjohjes së Kosovës si Republika e Kosovës, por dhe anashkalimit të saj për të ruajtur interesat e Serbisë. Qëndrimi parimor dhe largpamës i liderëve Osmani-Kurti i ka detyruar Rama-Vuçiç të kërkojnë mercenarë për ta zëvendësuar këtë qeveri. Tullumbacet e lëshuara për anti-amerikanizmin e Kurtit u shpuan nga vizita e suksesshme e Osmani-Kurtit në Uashington dhe përkrahja për ta.
Mali i Zi është një nga vendet që protagonistët e Ballkanit të Hapur donin ta kthenin në favor të tyre. Gjetja ‘me qira’ e një aguridhi në politikë dhe aventurieri në pasion si Abazovic, dështoi me turp. Ai nuk diti të mbrojë edhe interesat e tij si politikan dhe jo më të ishte interlokutor i besueshëm, në një vend ku themeluesi i shtetit të Malit të Zi, Presidenti Gjukanovic, ishte shprehur qartë për ambiciet e Serbisë nacionaliste dhe pasojat që do të vinin nga një projekt i tillë. Ballkani i Hapur i Rama-Vuçiç ka mbetur i gjymtuar dhe pa perspektivë.
Edhe ndihma që ministri i Jashtëm rus, Lavrov, ju dha se ‘Rusia mbështet Ballkanin e Hapur’ ndryshe nga Brukseli, që kërkon një Ballkan të mbyllur’, nuk ka dhënë rezultat. Kjo iniciativë serbo-ruse e Ballkanit të Hapur, megjithëse nuk pati sukses dhe është drejt falimentimit ka krijuar shumë dëme në Ballkanin Perëndimor. Ajo ka sjellë ndarjen, frikën e ndezjes së konflikteve etnike, e deri në zbatimin në Ballkan të ‘demokracisë së deleguar’ për të eliminuar liderët kundërshtarë që e kanë denoncuar atë dhe për t’u hapur rrugë ‘stabilizuesve e paqësorëve’ Rama-Vuçiç. Mosthyerja e lidershipit Osmani-Kurti dhe rënia e palavdishme e aguridhit Abazoviç (lider të marrë me qira e cilësuan udhëheqësit e Partisë së Shqiptarëve në Mal të Zi) është dhe fillimi i fundit të këtij projekti. Degustimi i verës në panairin e 1-4 shtatorit në Beograd nga Rama dhe Vuçiç do jetë pa shije. Projekti Europian është i pazëvendësueshëm.