Qeveria shqiptare po ndjek një politikë të kundërt me atë të vendosur për nxitjen e përdorimit të monedhës vendase në ekonomi. Raporti i Bankës së Shqipërisë vë në dukje se transaksionet financiare të lidhura me nivelin dhe ecurinë e borxhit publik në valutë, ruajnë nxitjen për përdorimin e valutës në ekonomi, duke kontribuuar në drejtim të kundërt me masat e deeuroizimit.
Dokumenti ka marrë në analizë ecurinë e borxhit publik, ku evidentohet se në fund të marsit 2022 vërehet: rritje e peshës së letrave me vlerë të borxhit (titujve) me maturitet më të gjatë se 12 muaj (obligacione 2-vjeçare dhe 10-vjeçare); rritje në masën 9.57% e peshës së detyrimeve në valutë të qeverisë shqiptare krahasuar me fundin e shtatorit 2021; rënie e borxhit të brendshëm në masën 8.44% krahasuar me fundin e shtatorit 2021.
Referuar dokumentit, në fund të marsit 2022, borxhi publik në valutë zinte 51.3% të totalit të borxhit publik, duke u rritur me gati 8.4 pikë përiqndje gjatë gjashtë muajve paraardhës.
Ai mbizotërohet nga borxhi në euro, i cili zë gati 70% të vlerës së borxhit në valutë. Sipas Bankës së Shqipërisë, zhvillimet e fundit në sismein financiar reflektojnë larminë e faktorëve që i ndikojnë treguesit e deeuroizimit, dhe evidentojnë nevojën për zbatimin e masave të deeuroizimit me konsistencë, në mënyrë proaktive dhe të koordinuar ndërinstitucionalisht.
Elisabeta Dosku / SCAN