Dy 18- vjeçarë kanë rënë në prangat e policisë në Tiranë. Bëhet fjalë për personat e identifikuar me iniciale -M. V., 18 vjeç dhe D. Sh., 18 vjeç, banues në Tiranë.
Policia jep detaje se në vendin e quajtur “Rrethrrotulli”, Plepa, Durrës, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në taksinë me të cilën udhëtonte drejt Tiranës, personi me iniciale D. Sh. Si rezultat i kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 pako kartoni, brenda të cilave ndodheshin 5 qese me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale rreth 340 gramë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se pakot kanë ardhur me postë nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri dhe se porositësi i tyre është M. V., i cili ka dërguar D. Sh. për t’i marrë pakot nga vendi i mbërritjes (Durrës) dhe për t’i sjellë në Tiranë.
Të rinjtë pritet të përballen me akuzën, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Ky është operacioni i dytë policor i zhvilluar brenda 3 muajve të fundit, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet postës, nga Mbretëria e Bashkuar. Operacioni policor i koduar “Green mail” u zhvillua më 30 qershor 2022 dhe si rezultat u sekuestruan rreth 1.3 kilogramë kanabis dhe u vunë në pranga 2 persona.