Policia ka reaguar në lidhje me atentatin në Vlorë, ku dy persona mbetën të vrarë brenda një automjeti tip “Benz”.
Sipas policisë, autorët kanë qëlluar me 3 armë zjarri automatike. Ndërkohë, një automjet i braktisur tip “BMW”, pa targa u gjet duke u djegur në fshatin Çerven, në aksin rrugor Levan-Tepelenë dhe dyshohet se u përket autorëve.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:50, në dalje të fshatit Panaja, në aksin rrugor Fier-Vlorë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë ndodhet në vendin e ngjarjes, ku vijon puna për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve, si dhe identifikimin e dy shtetasve të gjendur pa shenja jete.
Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, Delta Forcës e FNSH-së, në bashkëpunim me DVP Fier kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen e autorëve.