Përmes një postimi në facebook, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka reaguar në lidhje me vendimin e Bordit të Transparencës për caktimin e çmimeve të reja në treg për karburantet. Ai shkruan se bordi i hajdutëve, vijon të vjedhë qytetarët shqiptarë përmes çmimit të lartë të naftës, edhe pse kjo e fundit ka rënë në tregun ndërkombëtar. Vasili thekson se sot një litër naftë në Maqedoni kushton 170 lekë ndërkohë që në Shqipëri kap vlerën e 216 lekë për litër. Ai kërkon shkrirjen e menjëhershme të bordit dhe uljen e taksave të naftës.
“Ja faktet se si Qeveria vjedh egërsisht shqiptarët me çmimin e naftës!! Qeveria përmes Bordit të Hajduteve vazhdon pa u ndalur me çmimet e tij të çmendura, ndonëse çmimi i naftës ka rënë në mënyrë shumë të qartë në bursa. Sot Bordi vendosi çmimin e naftës 216 lekë litri. Po sot në Maqedoni një litër kushton 170 lekë (90 denarë). Bordi i Hajduteve po rëndon veten kaq keq se harrojnë që po me këto çmime, që janë sot ne Bursa, muaj më parë në Shqipëri nafta shitej rreth 180 lekë. Dorëzimi i Bordit kokë e këmbë tek hajdutëria dhe te kuleta e oligarkëve i ka bërë kaq të trashe sa bëjnë veprime kaq flagrante. Çmimi i naftës në Maqedoni flet qartë. Shkrirja menjëherë e Bordit. Ulja e taksave të naftës (Projektligji i Partisë së Lirisë që në mars në Parlament). Kjo është rruga e vetme, që ndal vjedhjen e shqiptarëve nga Qeveria me naftën” – shkruan Vasili në facebook.