Një ngjarje e tmerrshme ka ndodhur sot në Kubë, pasi kanë marrë flakë disa depozita nafte duke u shkrumbuar tërësisht. Sipas një përditësimi zyrtar, një zjarrfikës 60-vjeçar humbi jetën, ndërsa 24 persona janë shtruar në spital , pesë prej tyre që ndodhen në gjendje kritike. Më shumë se 100 të tjerë u plagosën, shumica kanë pësuar djegie dhe rreth 5,000 njerëz janë evakuuar nga zona e katastrofës, raportuan autoritetet.
Zjarri në periferi të Matanzas, një qytet me 140,000 banorë 100 kilometra në lindje të Havanës, shpërtheu vonë të premten pasi rrufeja goditi një nga tetë depozitat. Guvernatori i provincës perëndimore të Matanzas tha se zjarri ishte përhapur në depozitën e tretë, i cili u shemb si dy të tjerët para tij.
Ai tha se zona e zjarrit ishte “shumë e madhe” dhe përpjekjet për kontroll “shumë komplekse”. Zëvendës shefi i zjarrit Alexander Avalos Jorge tha më vonë të hënën se si rezultat i shembjes së depozitës së tretë rrezikohet edhe i katërti, i cili ka filluar të preket. Avionë, zjarrfikës dhe specialistë dhe pajisje të tjera mbërritën në Kubë nga Meksika dhe Venezuela të dielën pasi kombi ishull kërkoi ndihmë nga “vendet mike”.