Eksperti i komunikacionit, Nol Deda, ka folur për shkaqet që mund të kenë çuar në aksidentin mes një automjeti dhe një autobusi në magjistralen Prishtinë-Podujevë, nga ku mbetën të vdekur një burrë e grua, që ishin duke ardhur nga mërgimi, ndërkohë që dy fëmijët e tyre po vazhdojnë trajtimin mjekësor.
Deda ngriti dyshimet se “gropat goditëse” mund të kenë qenë shkaktare e aksidentit.
“Në rrugën ku është e papërfunduar, ekzistojnë ato që i quajmë “gropa goditëse”, të cilat nuk vërehen fare natën, dhe kalimi i automjetit në bazë të tyre, e huton drejtuesin e automjetit, madje edhe ia humb drejtimi, dhe drejtuesi i automjetit nuk e ka më kohën e reagimit për sistem frenimi”, u shpreh ai.
Tutje eksperti i komunikacionit ngriti shqetësimin se në muajt qershor, korrik dhe gusht, ndodhin më së shumti aksidente, kohë kjo kur mërgata shkon në Kosovë. Mungesa e sinjalizimit po ashtu u përmend si një shkaktare.
“Përveç mungesës së sinjalizimit, është edhe mungesa e sinkronizimit të tyre, sinjalizimit horizontal dhe vertikal. Kemi edhe sinjalizim të deformuar, në momentin kur një shenjë është me koruzion, atëherë de-fakto nuk e jep mesazhin e duhur”, tha ai.
Deda po ashtu tregoi se ka pasur raste kur palët e përfshira në aksident kanë paditur në gjykatë Ministrinë e Infrastrukturës, kur aksidentet kanë përfunduar me fatalitet për shkak të mungesës së sinjalistikës.