Ditën e sotme Ilir Meta do t’i dorëzojë Bajram Begajt postin e presidentit dhe nesër ky i fundit nis punën si kreu i ri i shtetit. Opozita ka qenë kundër kësaj zgjedhje të mazhorancës, ndërsa kujtojmë se bojkotoi më herët votimin që u bë për Begajn. Sakaq, pak orë para se të nisë ceremonia për betimin e presidentit të ri, PD ka dalë në një deklaratë zyrtare. Në deklaratë thuhet se nesër, dita kur Begaj nis punën, do të jetë dita e instalimit të plotë të monizimit nga qeveria Rama. Sipas PD, sot Rama po tregon që pas 31 viteve demokraci po e cenon hapur atë, duke mbajtur në postet drejtuese vetëm njerëzit e një partie.
“25 korriku i vitit 2022 do të gdhendet me germa të zeza në muret e kohës si një ditë fatkeqësie kombëtare për demokracinë dhe liritë e shqiptarëve. Sot, me inaugurimin e Presidentit socialist, pas 32 viteve, në Shqipëri rivendoset monizimi i plotë. Nga sot, Edi Rama dhe partia e tij shtet, kontrollojne mbi 99% të pushteteve në Shqipëri. Ata kanë të përqendruar në duart e tyre 11% pushtet më shume se sa kontrollonte në 1991 Ramiz Alia, diktatori i fundit komunist i Shqipërisë.Sot, për herë të parë në 31 vite, në Shqipërinë moniste, në pushtetin ekzekutiv të vendit, të gjithë qeveritarët qendrorë ministrat, zëvendës ministrat, sekretarët e përgjithshëm, drejtorët, punonjësit, janë vetëm të një partie, dmth të partisë shtet të Edi Ramës. Sot, pas 31 viteve, të gjithë qeveritarët vendorë dhe të gjithë këshilltarë vendorë të vendit janë të një partie, dmth të Partisë (shtet) Socialiste. Po kështu, për herë të parë pas 31 viteve, Presidenti i Republikës, të gjithë drejtuesit e institucioneve kushtetuese apo të ngritura me ligj, janë vetëm të një partie, partisë-shtet”, thuhet në deklaratë.
Ndërsa më tutje PD ka renditur 7 të këqija që Rama i ka sjellë vendit në këto vite pushtet, duke theksuar se kjo qeveri ka sjellë krimin, ka cenuar privatësinë e qytetarëve , ka censuruar mediat dhe ka vjedhur të varfërit.
“Edi Rama, i etur pafundësisht për pushtet personal, për pasurimin e tij arriti të rivendosë monizmin pas 30 viteve pluralizmi në Shqipëri. Ai e relizoi këtë para së gjithash, dhe mbi te gjitha, duke kontrolluar votën e shqiptarëve me:
1-perdorimin per këtë qellim të gjithë pushtetit të tij;
2-me drogën dhe krimin, duke instaluar në Shqipëri narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë;
3-me patronazhistët e vet, shumë prej tyre janë sjellë si terroristë të kuq;
4-duke mbjellë frikë dhe terror, nëpërmjet arrestimeve masive për çështje civile, gjer në 38 mijë qytetarë në vit, dhe duke larguar nga vendi, vetëm katër vitet e fundit, 540 mijë shqiptarë;
5- duke ushtruar dhunë mbi lirinë e fjalës dhe rikthyer censuren, por kryesisht autocensurën;
6-duke vjedhur dhe varfëruar në mënyrën më të pamëshirë dhe të papërmbajtur, në dogana, tatime, tendera, prokurime, koncesione e PPP, qytetarët shqiptarë, si kurrë më parë në historinë e tyre;
7-duke patur mbështetjen e fuqishme të mafias së George Soros-it, këtij armiku të egër të demokracisë dhe interesit kombëtar të shqiptarëve”, thuhet në deklaratë.
Ndërsa deklarata mbyllet duke theksuar se, Partia Demokratike dhe Fronti i Shpëtimit të Shqipërisë angazhohen dhe konsiderojnë se liria, demokracia, qenia, identiteti dhe kultura shqiptare janë në një rrezik ekzistencial dhe, zotohen se do të bëjnë gjithçka, së bashku me të gjithë shqiptarët, për shpëtimin sa më parë të Shqipërisë nga monizimi i partisë-shtet të Edvin Ramës, duke i rezervuar atij fatin e monizmit të parë.