Deputeti i PD-së Dashnor Sula ka reaguar për atentatin e mbrëmshëm në Milot, ku u vra një i ri dhe u plagos një 46-vjeçar. Sula konstaton se vendi i shqiponjave është shndërruar në vendin e kallashnikovit.
Ai thekson se nuk mund të kemi një vend europian me siguri primitive, por një vend që të jep paqe, ndërsa i bën thirrje kryeministrit Edi Rama që të marrë masat e duhura për të vendosur në shinat e demokracisë sigurinë e vendit.
Postimi:
Vendi i shqiponjave fatkeqësisht është shndërruar në vendin e kallashnikovit.
Lipset një aleancë e gjerë me qytetarët e për qytetaret ku institucionet të vendosen para përgjegjësisë për të bërë detyrën e tyre. Ky vend nuk është Palermo e dekadës së frikshme, por një shtet që çeli negociatat. Nuk mund të kemi një vend europian me siguri primitive, por një vend që të jep paqe.
Mjafton të shikosh kronikat e lajmeve për të kuptuar se përveç eksodit dhe pandemisë, shqiptarët po i asimilon mungesa e sigurisë në vend.
I bëj thirrje kryeministrit Edi Rama, si politikan, si qytetar dhe si prind, që të marrë masat e duhura për të vendosur në shinat e demokracisë sigurinë e vendit.
Nuk ka pushim me rrugë të përgjakura dhe vatra të përgjakura!