Ballkani Perëndimor po vuan aktualisht pasojat ekonomike që janë krijuar për shkak të luftës Rusi-Ukrainë. Në këtë kuadër, qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendime të rëndësishme për përballimin e krizës ekonomike. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka njoftuar ndalimin e eksportit të disa produkteve përfshirë grurin si dhe heqjen e taksës doganore për importin e vajit ushqimor deri në fund të vitit
“Ndalohet eksporti i drunjëve për ngrohje, peletit, grurit dhe miellit, si dhe hiqet taksa doganore për importin e vajit ushqimor deri në fund të vitit”, ka shkruar në faqen zyrtare në Facebook, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
“Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria në seancën e sotme solli vendime për të kufizuar eksportin e produkteve të caktuara për të shmangur veprimet spekulative të tregtarëve dhe prodhuesve dhe për të mbrojtur prodhimin vendorë, tregun vendorë dhe qytetarët. Qeveria mori vendim që të kufizojë eksportin e: grurit dhe thekërit dhe miellit prej grurit dhe thekërit, drunjëve për ngrohje dhe peletit. Gjithashtu, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, në konsultim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë të Ujërave, Qeveria mori sërish vendim për heqjen e taksës së importit – normës doganore për importin e vajit të lulediellit ushqimor për shkak të nevojës, për të ruajtur ofertën e tregut të brendshëm nga rritja e çmimeve”, ka shkruar Bekteshi. Ndërsa në përfundim ai ka këshilluar vendet fqinje, edhe Shqipërinë, që të marrin masa të tilla para se i gjithë Ballkani të zhytet në krizë të pakthyeshme.