Miço Bushi 61- vjeç është arrestuar sot nga policia përmes një operacioni për personat e shpallur në kërkim. Burime bëjnë me dije se 61- vjeçari ka qenë në arrati që në vitin 2019, dhe akuzohet për disa vepra të rëndë penale.
Arrestimi i tij ditën e sotme është bërë në kuadër të operacionit të koduar “Interaction”.
Bushi akuzohet për veprat penale ”Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, pas procedimit penal të nisur në vitin 2019 nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese, me vendimin e datës 08.03.2022, ka vendosur për këtë 61- vjeçarin masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.