Deputetët do të marrin edhe dokumentet të cilat qeveria tashmë i ka publikuar e që kanë të bëjnë me informacionin për përmbajtjen e propozimit francez. Vendimi u mor gjatë koordinimit të zakonshëm të së hënës në Kuvend pasi për opozitën, vetëm informacioni prej një flete ishte i pamjaftueshëm.
Protokolli mes Shkupit dhe Sofjes është i vetmi nga katër dokumentet e pakos të cilin nuk do ta marrin as deputetët dhe deri tek i cili nuk ka qasje akoma as opinion.
VMRO-DPMNE-ja kërkon debat më të gjerë në Kuvend.
“Kërkojmë urgjentisht të dorëzohet protokolli mes Maqedonisë dhe Bullgarisë i cili paraqet dokumentin më të rëndësishëm në këtë proces dhe i cili është kyç për t’u diskutuar rregullat e lojës mes dy vendeve në periudhën e ardhshme. Po ashtu, Kuvendi duhet të jetë i gatshëm t’i dëgjojë reagimet e qytetarëve, ekspertëve, sektorit civil dhe palëve të përfshira dhe të organizojë debat dhe shqyrtim të këtij propozimi”.
Nga ana tjetër, për shumicën nuk ka arsye për t’u pritur më shumë.
“Kur të vlerësojë kryetari i Kuvendit, në korniza të Rregullores por nuk ka nevojë për të pritur, nuk shoh arsye. Meqë diskutojmë çdo ditë për këtë çështje nuk e shoh kontestuese që të diskutohet edhe në institucionin ligjvënës. Protokolli nuk është finalizuar. Si të shpërndahet me opinionin diçka që nuk është finalizuar dhe nuk është firmosur?”.
VMRO-DPMNE-ja nuk sheh më arsye që të vazhdojnë bisedimet e grupeve të punës për propozimin francez dhe përpilimin e propozim-konkluzioneve të Kuvendit. Por, shumica është e hapur edhe nëse opozita maqedonase ndryshon mendim.
“Sa i takon pyetjes a do të vazhdojnë ata negociata, ja e them hapur se ne jemi të gatshëm edhe sot, nesër ose kurdo që të vendosin deputetët e opozitës të bisedojmë për propozim-konkluzionet. Me ata propozim-konkluzione do t’i heqim të gjitha dilemat në opinion, edhe për gjuhën, edhe për historinë, edhe për çështjet bilaterale, arsimin, për veçantinë e popullit maqedonas me të gjitha elementet e tij”.
Seanca plenare nuk është caktuar akoma por mund të caktohet në cilindo moment që të vendosë kreu i Kuvendit.