Mministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, në “Forumin e Dubrovnikut” në Kroaci që u mbajt sot, theksoi nevojën për të adresuar sfidat e Ballkanit Perëndimor. Ai u shpreh se të gjithë do të dëshironim që Bosnje-Hercegovina të ishte një histori suksesi, por të gjithë e dimë se ajo është potencialisht një fuçi baruti.
“Ajo që na mëson të gjithëve pushtimi rus i Ukrainës është nevoja për t’u rreshtuar pas së Drejtës Ndërkombëtare, kundër revizionizmit, kundër çdo lloj tentative për të ndryshuar kufijtë me forcë, kundër luftës. Ne të gjithë do të dëshironim që Bosnje-Hercegovina të ishte një histori suksesi, por të gjithë e dimë se ajo është potencialisht një fuçi baruti” – tha ai dhe nënvizoi nevojën që të gjithë të kontribuojnë sa më shumë për dialogun Prishtinë-Beograd.
Duke iu referuar procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, ai kujtoi se Greqia ishte vendi i parë në rajon që u bashkua me BE-në.
“Ne mendojmë se kemi përmbushur detyrimin tonë për Ballkanin Lindor: Rumania, Bullgaria. Por edhe Ballkani Perëndimor ka nevojë për ndihmën e Greqisë, Kroacisë dhe anëtarëve të tjerë për të përmbushur të ardhmen e tyre evropiane”, nënvizoi ai.
Kryediplomati grek theksoi se negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut janë vonuar për një kohë të gjatë dhe fakti që kemi kandidatura të reja, siç është Ukraina, “nuk duhet të na lejojë të harrojmë se sa e rëndësishme është që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ta nisin këtë proces”.
“Ne duhet të tregojmë se BE-ja është në gjendje të përmbushë premtimet e saj. Dhe ka edhe premtime të tjera që duhet të realizohen, siç është liberalizimi i vizave për Kosovën nga BE-ja, të cilat nuk i kemi përmbushur”, tha ai.
“BE duhet të jetë shumë më e pranishme në Ballkanin Perëndimor”, tha Dendias.