Në Kosovë ka shkaktuar debate të shumta publikimi i një serie komentesh të bëra vite me parë nga ministri Financave, Hekuran Murati dhe që lidhen me UÇK-në. Ai që ka ndezur më shumë debatet është një koment i bërë në vitin 2016-të ku Murati thotë se Kosovës do t’i kishte rënë më lirë nëse do të merrte mercenarë në vend të UÇK-së, të cilëve nuk kishte pse t’u thoshte as faleminderit.
“Bile edhe mercenarë me pas angazhu na kish dalë ma lirë. 3 muj ka 2 mijë euro bëjnë 6 mijë euro për kokë. 20 mijë mercenarë kishin me na kushtue veç 120 milionë euro gjithsej, Edhe as faleminderit s’kish pasë nevojë me ju thanë”.
Pas publikimit në media, ky mesazh është fshirë, por tashmë janë përfaqësues të shumtë të opozitës, ish-luftëtarë, veteranë të luftës, pjesëtarë të shoqërisë civile e qytetarë që kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit. Për këtë është iniciuar edhe një peticion online.
Megjithatë në faqen e tij në Facebook kanë mbetur sërish komente kritike të Muratit për UÇK-në. Një prej tyre është dyshimi i tij për numrin e 46 mijë veteranëve. Ai pyet se “me kë kanë luftuar këta veteranë, kur statistikat thonë se në luftën e Kosovës janë vrarë rreth 1 mijë e 500 ushtarë serbë, rreth 300 nga UCK-ja dhe rreth 1 mijë e 200 nga NATO”.
Më tej në një qëndrim tjetër të tij, në Facebook, i shkruar në vitin 2018, Murati ka ironizuar me veteranët, duke thënë se: “Veç sa të kthehen veteranët prej deti, se e sheh Hashimi qysh guxon me i falë tokë Serbisë”.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka shpërndarë në rrjetet sociale numrin e ministrit duke u kërkuar qytetarëve që t’i kërkojnë ministrit të largohet. Molliqaj ka thënë se Murati nuk mund të jetë ministër i një Kosovë të çliruar prej UÇK-së.