Ish-kryeministri Sali Berisha i ka konsideruar të papranueshme deklaratat e kryeministrit Edi Rama në samitin e Bashkimit Europian. Në një intervistë për mediat, Berisha tha se ato deklarata janë prodhuar në zyrën e Ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov. Përsa i përket integrimit europian të Shqipërisë, Berisha shprehet pesimist. Ai kujton në vitin 2018 kur në Tiranë erdhi komisioneri për zgjerimin në BE, Johannes Hahn i cili deklaroi se negociatat janë hapur. Berisha thotë se ka një arsye të fortë se pse negociatat ende nuk janë hapur, duke u shprehur se në vitin 2020, presidenti i Francës Emmanuel Macron bllokoi Shqipërinë përmes Maqedonisë së Veriut.
“Jo vetëm komisioneri Varhelyi, por nëse kthehemi në vitin 2018, në Tiranë erdhi komisioneri Hahn për të festuar negociatat, u hapën shampanja dhe u thanë që negociatat u hapën. U hodhën fishekzjarrët. Ka një ndarje midis vlerësimit dhe deklaratave të Komisionit Europian dhe vendeve anëtare. KE kanë vlerësuar që duhen hapur negociatat. Vendet anëtare kanë vlerësuar që nuk do të hapen duke e çuar në 15 kushte që duhen plotësuar. Presidenti i Francës i gjente të pabesueshme raportet e Komisionit Europian, kërkoi të reformonte procesin e vlerësimit për hapjen e negociatave. Në vitin 2020 ai bllokoi Maqedoninë për Shqipërinë. Shqipëria nuk ka plotësuar kushtet. Për mua, në një akt jo të drejtë bllokoi dhe Maqedoninë. Bullgaria nuk kishte asnjë vërejtje. Në vitin 2022, përsëri Emmanuel Macron nuk ka deklaruar se Shqipëria ka plotësuar kushtet. Por meqenëse Bullgaria doli si problem kryesor, u mor personalisht sëbashku me kancelarin Scholz për të zhbllokuar këtë proces. Kurse fjala e Edi Ramës, aktet e tij se kur mori urdhër nga Beogradi tha se nuk do shkojë në samit. Varësia nga Vuçiçi, fjala e tij ishte e shkruar në Beograd, ndoshta dhe në zyrën e Lavrovit. Nuk mundet kurrë një udhëheqës i një vendi të lirë, të përdorë një fjalor të atillë fyes ndaj udhëheqësve të BE-së dhe ndaj një vendi mik si Bullgaria. Fjalori i tillë ka qenë tipik i vendeve komuniste gjatë Luftës së Ftohtë. Nuk mund të them se prodhohet në atë formë në Beograd, por prodhohet në zyrën e Lavrovit” – tha Berisha.
Duke u rikthyer në qëndrimin e Ramës gjatë samitit të BE-së, Berisha tha se kreu i qeverisë shqiptare shkoi në Bruksel si avokat i Presidentit Aleksandër Vuçiç.
“Edi Rama shkoi aty krejtësisht si përfaqësues ose si vasal i Vuçiçit. Aleksandër Vuçiç, i ka të hapur kapitujt por nuk po bën përparim pasi ka qëndrim pro ruis. Është një dallim i madh se në cilën anë rreshtohet. Vuçiç mori Ramën si avokat. Foli më shumë për Serbinë se sa Shqipërinë. Zgjodhi t’u japë leksion udhëheqësve europian duke i kërkuar që të mos sulmojnë Serbinë. Pasi në Serbi, 80% e popullatës e konsiderojnë Putinin hero. Jua thotë Komisioni Europian, Francës dhe Gjermanisë, nuk i njohin këto vende këto statistika” – u shpreh Berisha.