Nga Saimir Demi
Ky riti i shortit, megjithëse jo shumë spektakolar është gjithmonë interesant dhe kjo, jo vetëm sepse përcakton kundërshtarin e fushës. Në fakt janë gogla që rrotullohen mbi një hartë dhe në bazë të tyre të krijohet ideja ekzakte se si duhet të përgatitesh në funksion të destinacionit për ku do të udhëtosh. Përveç vështirësive teknike, nëse fati do të të vinte përballë ukrainasve të Shaktar, atëherë me shumë gjasa do të gjeje një ambjent të vrazhdë, për shkak të luftimeve të përgjakshme që janë bërë në Donesk, gjë që ka ndikuar në zhvendosjen e një pjese të mirë të popullsisë që andej, duke përfshirë edhe skuadrën e futbollit. Nëse do të të duhej të luaje kundër Crvena Zvezda, megjithëse një simbol i futbollit në ish-Jugosllavi, por në pjesë të veçanta të historisë edhe në Europë, këto fakte sportive nuk është se të bëjnë të ndjehesh mirë. Eshtë e sigurtë që në Beograd do të gjeje një ambjent armiqësor, për shkak të një urrejtje primitive të akumuluar nga historia e gjatë e një bashkëjetese të trazuar. Ndërsa goglat për ndeshjen e fundit të Partizanit për eleminatoret e Champions League, pas një mungese 23-vjeçare e çuan në Salzburg dhe ky po që është fat. Skuadra jonë do ta ulte siparin e këtij përfaqësimi dinjitoz në këtë kompeticion, shumë pranë shtëpisë ku ka lindur Mozarti, gjeniu që ky qytet shpirtbutë i delegoi forcën për të zbutur shpirtrat e pjesës tjetër të kontinentit. Pikërisht në këtë vend, ku çdo minutë e një dite të re të jepte përshtypjen sikur është një notë muzikore dhe në fund të ditës të dukej sikur ke dëgjuar një pjesë të ëmbël muzikore, Partizani ynë, në 48 orët e qëndrimit u bë një lloj protagonisti i kësaj orkestre qindra vjeçare. Presidenti i skuadrës dhe bashkëpunëtorët e tij ishin kujdesur deri në detaje, që të paktën për nga mënyra e udhëtimit, akomodimi apo paraqitja, gjithçka të ishte në lartësinë e këtij qyteti. Dhe vetëm këto mund të realizohen shpejt, pasi sigurisht që përmirësimi i pjesës teknike kërkon më shumë kohë. Në këtë qytet të jashtëzakonshëm, ku një pjesë e urave mbi lum paretet anësore i kishin të përbëra nga drynë, të cilët simbolizonin betimin e njerëzve për dashuri të përjetshme ndaj njëri- tjetrit, ka kaluar edhe Partizani ynë, mbërritur deri këtu pas një dashurie të madhe të dikujt që mori përsipër ta rindërtonte. Aty ishin edhe tanët, të kuruar më së miri, pikërisht në Mirabel Garden, ambjent që kishte një ngjashmëri të jashtëzakonshme me kopshtet e Versajës. Në kangjellat e portës së shtëpisë së Herbert Von Karajan, dirigjentit të madh, e cila ndodhej shumë pranë asaj të Mozartit, aq sa pyesja veten se si është e mundur të nxjerrë kaq korifej një lagje e vetme, pasi në timen më së shumti rrinë gjithë ditën pa bërë asgjë, por flasin me zë të lartë. Në një stadium të mbushur në masë nga gra dhe fëmijë dhe që të krijonte përshtypjen se nga momenti në moment do të fillonin tingujt e veglave muzikore, sigurisht që ky Partizan është pjesërisht fitues, pasi është elegant, megjithëse ka mbërritur nga stadiume, ku njerëzit përgjithësisht skërmiten, të shajnë me kënaqësi të gjithë robt’ e shtëpisë, por në varësi të inatit qëllon që ta zgjerojnë edhe rrethin farefisnor, madje kur mendja nuk u ka më lidhje gjeografike me kokën, mund të tentojnë të të dëmtojnë edhe fizikisht. Ndërsa në “Red Bull Arena”, në pjesë të ndryshme të ndeshjes, i gjithë publiku vetëm duartrokiste me rritëm, pa brohoritur, saqë të dukej sikur po ndiqje Marshin Radetski, atë mrekullinë që në çdo 1 janar mbyll koncertin e Vjenës. Ndërsa përsa i përket rezultatit teknik të ndeshjes, që ishte edhe qëllimi i udhëtimit për në Salzburg, nuk ishim ne fituesit dhe kjo për një listë arsyesh. Austriakët e kanë filluar kampionatin e tyre dhe kështu që gjendja e skuadrës tonë stononte ndjeshëm. Veç të tjerash është një klub shumë i fuqishëm financiarisht, me një buxhet më të madh se 30 fishi i atij të Partizanit dhe sigurisht ishte shumë më i plotësuar cilësisht. Dhe për të plotësuar listën duhet thënë që futbollistët tanë, në atë 90 minutësh gabuan individualisht aqsa mundën dhe në fund gjithçka u kthye në një gabim kolektiv. Atanda ishte edhe simboli. Në aeroportin e Salzbugut ishte i vetmi, që për hir të pasaportës nigeriane i kërkuan të linte shenjat e gishtave dhe ato ishin shenjat e vetme që la gjatë orëve austriake. Gjithsesi është më e përshtatshme logjika e trajnerit Sormani, sipas të cilës edhe kur fiton, edhe kur humbet, gjithçka vjen si pasojë e sjelljes së të gjithë grupit. Por, le të kënaqemi për sa mundëm të jemi fitues, pasi vetëm 1 orë e 20 minuta pas nisjes nga aeroporti “Volfgang Amadeus Mozart” mbërritëm në Rinas, ku dëgjuam se dikush në Himarë, me një skaf me tre motorë, i kishte kaluar mbi shpinë një turisti rus, i cili po notonte afër bregut. Apo që një i moshuar e kishte bërë për vdekje plakën e tij, pasi dyshonte që në moshën 65 vjeçare i kishte vajtur mendja për të zënë dashnor. Ndërsa të tjerat mund të rregullohen me kohë, ndërkohë që Partizani ende është në Europë dhe shumë shpejt do të udhëtojë për në Krasnodar, për të diskutuar takimin e parë “play off” të kompeticionit numër 2 të organizuar nga UEFA. Skuadra ruse është rezidente diku nga Kaukazi verior… kush e di se si do të jetë atje.