Gjatë vizitës në një fabrikë mielli në Kosovës, kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar rastin për të dhënë një lajm se tarifat doganore të Shqipërisë me Kosovën do të hiqen, duke filluar me ato bujqësore. Por këtë lajm nuk kishte si mos ta lidhte me Ballkanin e Hapur, aty ku Kurti nuk bie dakord, duke thënë se jemi pa tarifa për Ballkanin e Hapur e mos ta kemi me Kosovën.
“Ne kemi bërë një plan dhe do ta vëmë tani në lëvizje, do t’i heqim krejt tarifat doganore me Kosovën, do t’i heqim plotësisht. Dëshirën e kemi që të bëhet bilaterale me Qeverinë e Kosovës, por ne do ta bëjmë, ata kanë kërkuar më shumë kohë për ta analizuar. Kështu ne do t’i heqim tarifat për gjithë çfarë do vijë nga Kosova, përjashto atë të skanimit se ajo është e trashëguar dhe s’lëviz, por në gjithë pjesën tjetër më nuk do të ketë më tarifa për të gjithë ata që do eksportojnë nga Kosova në Shqipëri. Anasjelltas duhet ta bëjë qeveria e Kosovës, por nëse qeveria e Kosovës do më shumë kohë për ta studiuar, ne do ta bëjmë gjithsesi. Sepse ne nuk duam që ta kemi të hapur pa tarifa për Ballkanin e Hapur e mos ta kemi me Kosovën, është e pakuptimtë” – ka deklaruar kryeministri Rama.