Kryeministri Edi Rama ka folur sot për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe ndëshkimin e figurave të rangut të lartë politik dhe për një prokurori të fokusuar tërësisht te misioni i saj. Në Konferencën Kombëtare të Antikorrupsionit, Rama tha se kush e mendonte në këtë vend deri pak vite më parë se do të vinte dita vetëm pak vite më pas nga reforma në drejtësi që askush nuk do ndihej i paprekshëm dhe që anëtarë qeverie, përfaqësues të zgjedhur në pushtetin vendor, deputetë do të merreshin nën hetim dhe do të akuzoheshin nga një prokurori tërësisht e ndarë nga politika dhe tërësisht e fokusuar te misioni i saj për të bërë drejtësi.
Gjithashtu në konferencë merr pjesë dhe ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim.
“300 mijë kontakte fizike në muaj mes qyt dhe shtetit. Sistemi ishte i kapur tërësisht nga kanceri i një drejtësie tërësisht të korruptuar, gjerësisht të kalbur, të transformuar në një Pazar ku e drejta shitej ose blihej. Ku pavarësisht se brenda sistemit kishte si kudo njerëz të zotë dhe të ndershëm, tërësia e sistemit e bënte të pamundur. Ne u fokusuam në dy drejtime, nga njëra anë reformimi i sistemit të drejtësisë dhe nga ana tjetër, reformimi i sistemit të shërbimeve. Për reformimin e sistemit të drejtësisë, do doja të thosha diçka për të cilën biem dakord të gjithë pavarësisht bindjeve dhe rezervave dhe madje pavarësisht simpative që mund të kemi në aspektin politik. Kush e mendonte deri pak vite më parë se në këtë vend do të ndëshkoheshin nga drejtësia figura politike të rangut më të lartë. Kush e mendonte në këtë vend deri pak vite më parë se do të vinte dita vetëm pak vite më pas nga reforma në drejtësi që askush nuk do ndihej i paprekshëm dhe që anëtarë qeverie, përfaqësues të zgjedhur në pushtetin vendor, deputetë do të merreshin nën hetim dhe do të akuzoheshin nga një prokurori tërësisht e ndarë nga politika dhe tërësisht e fokusuar te misioni i saj për të bërë drejtësi. Nuk besoj se dikush në këtë sallë deri para pak vitesh do i përgjigjej pyetjes pozitivisht, a e beson se pas pak vitesh do të ndodhë kështu, dhe jo kryetarë qeverie, kryebashkiakë apo deputetë të partisë në pushtet. Kemi pasur dikur anëtarë qeverie që pushkatoheshin, por ishte sistem tjetër. Këtu flasim për një sistem ku pushtetet janë të ndara dhe ku ndarja e pushteteve mishërohet në veprimtarinë e pavarur të organeve të drejtësisë në raport me pushtetin ekzekutiv, apo në raport dhe me pushtetin legjislativ” – deklaroi Rama.
Por në kongresin e Partisë Socialiste në prill, si dhe në Asambleja Kombëtare e PS më 7 maj kryeministri Edi Rama sulmoi me tone të ashpra Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, se nuk po vepron ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të nxjerrë jashtë sistemit nga Vettingu, e veçanërisht ndaj ish kryeministrit Sali Berisha i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara. Kreu i PS la të kuptohej sërish se SPAK po godet më shumë nga e majta, duke theksuar megjithatë se partia e tij ka pasur gjithnjë të njëjtin qëndrim sa herë që është dashur të merret përpara drejtësisë cilido pjesëtar i tyre.