Sot Kosova nuk ka patur asnjë të infektuar me Covid-19 ndërkohë kryeministri kosovar Albin Kurti tha se marrëveshja e nënshkruar për vaksina dhe donacionet ndërtuan bazën për një proces shembullor të vaksinimit.
Kurti tha se rezultatet janë të dukshme meqë Kosova qëndron më së miri në rajon në shifra sa i përket pandemisë.
“Sipas statistikave, kemi shkallën më të lartë të të vaksinuarve dhe shkallën më të ulët të humbjeve të jetës në gjithë rajonin. Edhe numri i rasteve aktive ka rënë në dyshifror”, ka shkruar ai.
“Tash e disa ditë kemi regjistruar numra njëshifrorë të të infektuarve me Covid-19. Sot nuk e patëm asnjë rast. Si sot para një viti Qeveria e nënshkroi kontratën për sigurimin e vaksinave. Për vetëm dy muaj, negociuam dhe lidhëm kontratë drejtpërsëdrejti me prodhuesin Pfizer, kontraktuam vaksina të miratuara edhe nga rregullatori evropian, edhe ai amerikan. Ky furnizim dhe donacionet nga shtetet mike, ndërtuan bazën për një proces shembullor të vaksinimit”.
Megjithatë, kryeministri Kurti i shtyn qytetarët që të vazhdojnë të marrin vaksinat për t’u mbrojtur nga infektimi.
“Mirëpo, për të vazhduar mbajtjen e kësaj situate, duhet edhe ne të vazhdojmë të vaksinohemi, edhe me dy dozat e para, edhe me dozën përforcuese tre muaj më vonë. Vaksinimi sa më i gjerë, mbetet arma jonë më e fortë për të mbrojtur vetveten dhe njëri-tjetrin”.