Është “e padrejtë” dhe “johumane” mënyra se si trajtohen qytetarët e Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian, thotë ish-ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, Vlora Çitaku, duke komentuar faktin që Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor pa lëvizje të lirë në BE.
Çitaku, në kohën kur ka qenë ministre, ka pranuar udhërrëfyesin me kushtet e liberalizimit, për të cilat thotë se ka kohë që janë plotësuar.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se BE-ja, me mosliberalizimin e vizave për Kosovën, është duke e humbur kredibilitetin e saj.
Çitaku, e cila aktualisht shërben si nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, flet edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për projektin e gazsjellësit të mbështetur nga SHBA-ja, për rolin e opozitës në Kuvend e të tjera.
Radio Evropa e Lirë: Zonja Çitaku, nga koha kur ju keni qenë ministre e Integrimit Evropian (2011-2014) apo edhe më herët është folur dhe premtuar liberalizimi i vizave për Kosovën për në vendet e Bashkimit Evropian. Tash jemi në vitin 2022 dhe qytetarët e Kosovës ende nuk mund të lëvizin pa viza në zonën e njohur si Schengen. Çfarë është duke kërkuar BE-ja nga Kosova?
Vlora Çitaku: Është e padrejtë, është johumane mënyra se si trajtohen qytetarët e Republikës së Kosovës në vitin 2022. Para pak ditësh pamë rekomandimin e Komisionit Evropian për t’iu ofruar qytetarëve të Katarit dhe Kuvajtit lëvizjen e lirë në zonën Schengen. Shtetet si Kolumbia dhe Venezuela e të tjerat lëvizin pa viza në zonën Schengen.
E mbaj mend kur kam qenë ministre e Integrimit Evropian, Kosovës i është dhënë udhërrëfyesi për liberalizmin e vizave dhe ai udhërrëfyes ka pasur dyfish më shumë kritere sesa që kanë pasur vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Përkundër përmbushjes së kritereve në fjalë, përkundër rekomandimit të Komisionit Evropian që nga viti 2016 [për liberalizimin e vizave për Kosovën], ne nuk kemi vendim nga institucionet e Bashkimit Evropian për të rekomanduar lirinë e lëvizjes për shtetasit e Kosovës.
Sinqerisht, nuk ka logjikë, nuk ka shpjegim. Është e vërtetë që ka qenë një momentum disa vite më parë, mirëpo ne e humbëm atë për shkak të zvarritjes së procesit të miratimit të demarkacionit [të kufirit] me Malin e Zi. Megjithatë, në fund, detyrimet, obligimet i kemi përmbushur./REL