Deputeti Oerd Bylykbashi ka prezantuar rezolutën në Këshillin Kombëtar të PD për zgjedhjen e Presidentit të ri. Në fjalën e tij, Bylykbashi u shpreh se kjo mazhorancë po synon një konsensus të rremë për zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit. Sipas tij Kushtetuta synon gjetjen e konsensusit mbi një figurë që bën bashkë të gjithë. Bylykbashi u shpreh se procesi i zgjedhjes së Presidentit me konsensus është me rëndësi për stabilitetin dhe një proces i njëanshëm i shërben vetëm krizës së tejzgjatur.
“Më 24 korrik 2022, mbaron mandati i Presidentit të Republikës. Kuvendi i Shqipërisë duhet të nisë procedurat për zgjedhjen e Presidentit jo më vonë se 60 ditë përpara fundit të mandatit. Procesi kushtetues dhe tradita politike dhe parlamentare në Shqipëri synojnë konsensusin më të gjerë politik për Presidentin si përfaqsues i unitetit të popullit. Në këto kushte, Këshilli Kombëtar i Partisë demokratike vëren se: Mazhoranca socialiste, në mënyrë sistematike ka kapur pushtetet e pavarura përfshirë atë të drejtësisë, duke rrënuar sistemin kushtetues të kontrolleve dhe balancave. Edi Rama aktualisht kontrollon rreth 90% të pushtetit publik dhe kapja e institucionit të Presidentit prej tij do të siguronte pushtet absolut, të paprecedent edhe në periudhën e diktaturës para rënies së regjimit komunist. Zgjedhja e Presidentit të Republikës ka rëndësi themelore në kuadër të rikrijimit të një sistemi kontrollesh dhe balancash kushtetuese dhe të mbajtjes së unitetit të popullit. Si e tillë, zgjedhja e Presidentit është një akt sovraniteti kushtetues që nuk duhet të prodhojë konflikt politik dhe institucional, por duhet të synojë qeverisjen me përgjegjësi ndaj popullit prej të cilit buron sovraniteti. Zhveshja e Presidentit nga kompetenca të rëndësishme kushtetuese me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, duke zvogëluar rolin kontrollues dhe balancues të Presidentit, nuk pakëson rëndësinë e tij si kreu i shtetit. Në këtë kuadër, merr një rëndësi edhe më të madhe procesi i identifikimit të kandidaturave dhe zgjedhjes së tij. Kushtetuta synon gjetjen e konsensusit më të gjerë dhe të vërtetë mbi një figurë që bën bashkë politikën dhe aspekte të tjera të sferës publike, një konsenus politik dhe parlamentar që i ka rrënjët në legjitimitetin e dalë nga vota” – tha Bylykbashi.
Bylykbashi gjithashtu tha se raporti i OSBE/ODIHR-it dhe ai i DASH-it si dhe një numër procedimesh penale damkosin me vulën e korrupsionit dhe të shit-blerjes së votës mandatet që i japin shumicën parlamentare Partisë Socialiste. Sipas tij, mazhoranca po përpiqet të krijojë një proces parlamentar farsë dhe politikisht steril duke u përpjekur t’i caktojë ajo përfaqsuesit e opozitës në procesin e zgjedhjes së Presidentit.
“Raporti i OSBE/ODIHR-it dhe ai i DASH-it si dhe një numër procedimesh penale damkosin me vulën e korrupsionit dhe të shit-blerjes së votës mandatet që i japin shumicën parlamentare Partisë Socialiste. Kjo shumicë dhe legjitimiteti i saj për zgjedhjen e Presidentit, ashtu si në vitin 2002, është vënë në pikpyetje. Ashtu siç Parlamenti Europian ne vitin 2001, pas masakrës zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të atij viti dhe krizës politike që e pasoi, kërkoi që Presidenti të zgjidhej me konsensus pavarsisht se mazhoranca socialiste e kishte shumicën e nevojshme për zgjedhjen e tij, po ashtu procesi aktual i zgjedhjes së Presidentit me konsensus është me rëndësi për stabilitetin politik. Një proces i njëanshëm i shërben vetëm krizës së tejzgjatur.Mazhoranca socialiste po përpiqet të krijojë një process parlamentar farsë dhe politikisht steril duke u përpjekur t’i caktojë ajo përfaqsuesit e opozitës në procesin e zgjedhjes së Presidentit. Me këto përpjekje dhe konsultime pa përfaqësuesit e mandatuar nga forcat politike, mazhoranca socialiste po përpiqet të sajojë një dukje konsensualiteti të rremë. Partia Demokratike e denocon këtë si sjellje që i kontribuon thellimit të krizës politike, institucionale dhe kushtetuese në vend, dhe që dëmton legjitimitetin e procesit dhe bësueshmërinë e Presidentit të ardhshëm” – tha Bylykbashi.