Ditën e sotme në Panama, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani përuroi shtatoren e Shën Terezës, të punuar nga skulptori kosovar Bashkim Beqiri, në një ceremoni të organizuar bashkë me ministren e Jashtme të Panamasë, Erika Mouynes dhe me kryepeshkopin e Panamasë, Jose Domingo Ulloa.
Gjatë kësaj ceremonie presidentja Osmani bëri me dije se ndihet shumë e lumtur që Panamaja po e mirëpret dhe monumentalizon kujtesën për Shën Terezën. Nga ana tjetër, kjo është edhe një mirënjohje për punën e saj, për vlerat e saj edhe për madhështinë e personalitetit të saj.
Ndër të tjera, presidentja Osmani është shprehur se si bashkëkombës të saj jemi shumë krenarë me shëmbëlltyrën e Shën Terezës. Po kështu, shtoi ajo, i jemi mirënjohës popullit panamez për respektin e treguar me të gjitha nderet që mund t’i ofrohen një të shenjtë.