Miroslav Lajçak, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka njoftuar ditën e sotme se pala e Kosovës dhe ajo serbe janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet me njëra-tjetrën për gjetjen e një marrëveshje të përhershme për punën e targave.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Lajçak ka bërë me dije se do të vazhdojnë diskutimet në datën 13 maj.
“Jam i lumtur të tregoj qe pas konsultimeve me dy shefat e ekipeve negociatore dje dhe sot, ne u pajtuam për të vazhduar diskutimet tona më 13 maj në Bruksel për gjetjen e një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave”.
Kujtojmë se, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë diskutuar për dy ditë në Bruksel rreth çështjes së targave të automjeteve. Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi, ka kërkuar nga të dyja vendet që të arrijnë kompromis për çështjen e targave të makinave, kjo kur kanë mbetur vetëm dy ditë nga gjetja e një zgjidhjeje afatgjatë për këtë çështje.