Ervin Minarolli ka reaguar në lidhje me ankesat që janë bërë për listat e PD, për garën e kryetarëve të degëve. Kujtojmë se pak orë më parë një nga kandidatët në Kukës u dorëhoq nga gara me pretendimin se lista e anëtarësisë e vënë në dispozicion nga Komisioni i Rithemelimit ka mangësi të anëtarëve të hershëm të kësaj force politike dhe emra të rinj duke e cilësuar manipulim të procesit.
Për këtë arsye, Minarolli në një deklaratë publike sqaroi se listat janë ato të viti 2019, ndërsa i janë shtuar edhe emrat e rinj nga referendumi i 18 dhjetorit.
“Lidhur me disa pretendime për listat e votuesve në zgjedhjet për kryetar në disa degë të PD, sqaroj si më poshtë: Listat zgjedhore të vëna në dispozicion të Komisioneve zgjedhore të degëve, janë listat e vitit 2019, të gjendura në bazën e të dhënave të PD. Kësaj liste i janë shtuar edhe pjesëmarrësit në referendumin e datës 18 dhjetor 2021 në të cilin votuan të gjithë anëtarët ndër vite që dispononin kartat e anëtarësimit të Partisë Demokratike”, thuhet në deklaratë.