Serbia hapur po provokon dhe këtë po e bën para hundëve të ushtarëve të KFOR-it. Deri më tani Beogradit nuk i është dërguar ndonjë notë proteste nga NATO dhe nga BE, por as nga Washingtoni zyrtar. Shkelja kaq flagrante e kufinjve të Kosovës, duke e vënë policinë para sprovave të rrezikshme, nënkupton edhe nëpërkëmbje të juridiksionit të NATO-s mbi pacenushmërinë e kufinjve të Kosovës. Kjo i bie që duke cenuar kufinjtë e Kosovës, Serbia po cënon rëndë edhe krediblitetin e NATO-s në këtë pjesë të Kosovës.
Nga Mehmet Prishtina
Pasiviteti i bashkësisë ndërkombëtare e ka trimëruar Serbinë që të futet në aventura të rrezikshme pranë kufinjve të Kosovës. Që nga 13 prilli deri sot për të pestën herë është sulmuar Policia e Kosovës në veri të vendit, ndërkohë që ekspertët ushtarak shtrojnë pyetjen: Pse KFOR-i nuk pati informacione për sulmet në veri të Kosovës?
Njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, gjeneral Ramadan Qehaja, ka thënë se Kosova nuk ka arritur t’i eliminojë strukturat paralele në veri të Kosovës, përkundër tentativave. Duke komentuar për sulmet e dy-tri ditëve të fundit ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës, në veri të vendit, Qehaja ka thënë se nuk e di se sa hapa kanë ndërmarr institucionet e Kosovës për t’iu kundërvënë sulmeve të tilla. Sipas tij ekzistojnë ushtarakë të kamufluar në brendi të territorit tonë, ata janë civilë, kryejnë gjoja se detyra të tjera, por në fakt ata janë njerëz që janë ushtarakë profesionistë.
Informacionet e gjeneralit Qehaja kemi mundur t’i dëgjojmë në mënyrë të përsëritur edhe nga burime të tjera tash e disa vite. Sipas këtyre burimeve tash më nuk është kurrfarë sekreti se në veri të Kosovës vepron pa pengehueshëm Shërbimi sekret serb, BIA, i cili përpos që është aktiv në terren me informatorët e vet, ai është i gatshëm të ndërmerr veprime të natyrave të ndryshme të karakterit subversiv kundër sovranitetit dhe integritetit të Kosovës.
Këtij mozaiku të përpjekjeve destabilizuese kundër Kosovës, duhet shtuar edhe praninë e rusëve në bazën informative në Nish, qëllimi i të cilëve është destabilizimi i Ballkanit, në veçanti Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Të gjithë së bashku, këto struktura po punojnë që të përgatisin terrenin e një sulmi eventual të armatosur ndaj Kosovës, ndërkohë që mbetet e paqartë se si është e mundur që KFOR-i, edhe pse një herë në muaj takohet me krerë të ushtrisë serbe për analiza të situatës së sigurisë, megjithatë nuk pati informacione për sulmet e fundit që u bënë ndaj policëve të Kosovës.