Deklarata e kryeministrit Edi Rama se armatosja e fundit e Serbisë me sisteme mbrojtëse ajrore nga Kina nuk paraqesin rrezik dhe s’duhet të ketë shqetësim ka ngjallur reagime në Kosovë.
Deputeti nga PDK, Hisen Berisha, njëkohësisht edhe anëtar i Komisionit për Siguri në Kuvend thotë se Shqipëria duhet të jap mesazh të qartë që nëse është nevoja nuk heziton të futet në luftë për mbrojtjen e Kosovës.
“Serbia dhe Shqipëria nuk janë vende fqinje ndërkufitare. Është krejtësisht në rregull që Shqipëria të synojë raporte miqësore me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë. Megjithatë, Shqipëria duhet ta ketë të qartë rolin e vet si mbështetëse e Kosovës dhe duhet të jetë e qartë dhe pa hezitime sa herë që ka kërcënime nga ana e Serbisë. Tirana duhet të jetë e qartë në mesazhin e vet që, nëse është nevoja, nuk do të hezitojë të futet në luftë për mbrojtjen e Kosovës. Ambiguiteti nga Tirana, paqartësia në mesazhe, vetëm sa e ushqen agresivitetin e Serbisë”, tha Berisha.
Ai foli edhe për raportet mes kryeministrit Kurti dhe homologut të tij nga Shqipëria ku sipas tij dy drejtuesit qeveritarë duhet të komunikojnë dhe të qartësojnë qëndrimet.
“Kryeministrat tanë duhet të komunikojnë edhe duhet t’i qartësojnë edhe qëndrimet e tyre karshi “ Ballkanit të Hapur”. Ne e dimë se i gjithë spektri politik i Kosovës ka qenë kundër apriori për “Ballkanin e Hapur” pa e shtruar në debat fare ketë çështje sidomos me Shqipërinë, edhe unë jam dhe kam qenë kundër “Ballkanit të Hapur” pa e pranuar realitetin e shtetit të Kosovës nga vet Serbia, pa e ndërprerë ndërhyrjen destruktive që e bën Serbia në Kosovë. Por sa i përket kryeministrit Rama dhe politikës shqiptare, Kosova dhe kryeministri Kurti duhet të bisedojë dhe të marrë opinionin e kryeministrit Rama dhe natyrisht si shtete me interesa të përbashkëta, ta bëjnë edhe çështje dialogu në mes Shqipërisë dhe Kosovës, që qëndrimet e të dy palëve të kuptohen. Ndërsa sa i përket qëndrimit të Shqipërisë për armatimin që Serbia po bën ato janë qëndrime të një shteti sovran ashtu si i sheh ajo vet”, tha Berisha.
Ish-komandanti i Betejës së Koshares tha po ashtu se armatimi që Serbia po e blen janë armë ofensive lufte.
“Është fakt se shtet si Maqedonia, Mali i zi, Kosova etj. nuk kanë shpërfaqur pretendime territoriale ndaj Serbisë, kurse shtet si Kroacia, Hungaria, Bullgaria që janë pjesë e NATO dhe BE, për ta arritur këtë status, iu është dashur ti përmbyllin konfliktet me shtete fqinje. Shtrohet çështja atëherë, përse po ndodh kjo armatosje e Serbisë apo prej kujt pret rrezik Serbia. Lloji i armatimit që po krijon Serbia nuk ka të bëj me mbështetje ushtarake të autoriteteve civile për raste emergjencash dhe fatkeqësish natyrore. Pra këto armatime dhe teknologji që po blenë Serbia janë arme ofensive lufte”, tha ai.