Deputeti i PD, Flamur Noka, ka akuzuar sot gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, Enkeljed Aliebajn se kërkon të përçajë demokratët. Sipas tij, të gjithë po thotë duhet bashkim, por bashkimi mund të arrihet vetëm duke lënë pas çka ndodhi me 9 shtator. Noka tha se Basha dhe vendimet e tij duhen fshirë, por Alibeaj dhe të tjerë akoma vazhdojnë të marrin direktiva përçarëse.
“Bashkimi i demokratëve domethënë rikthimi në normalitetin para 9 shtatorit. Ish-kryetari mori vendimin individual pa pyetur institucionet, mori edhe faturën individuale me ikjen. Bashkë me të ikën edhe çdo vendim që ai ka marrë. Bashkim domethënë tërheqje nga ankimimet pasi drejtimin e vendos vota. Pas datës 6 Mars ne që dolëm shumicë kemi bërë thirrje vetëm për bashkim. Kryetari i grupit aktual me ndonjë tjetër ka vazhduar axhendë tjetër përçarëse”, tha ai.
Të njëjtën gjë kanë pretenduar edhe disa deputetë të tjerë, të cilët theksojnë se PD duhet të vazhdojë përpara.