Kuvendi komunal në Preshevë në një seancë të jashtëzakonshme me 20 vota pro ka shkarkuar ditën e sotme Ardita Sinanin nga detyra e kryetares së Komunës së Preshevës.
Për shkak të vizitës së saj zyrtare në Kosovë, Sinani kishte kërkuar që kjo seancë të shtyhej. Megjithatë, Kuvendi u mbajt, por shkarkimi i Sinanit nga detyra e caktuar u kundërshtua.
Po ditën e sotme përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook ajo falënderoi të gjithë përkrahësit për mbështetjen e treguar ndaj saj.
“Faleminderit të gjithëve për përkrahjen. Në Luginë, në Kosovë, në Shqipëri, në Mergatë. Bashkërisht do ta përmirësojmë degradimin e politikës shqiptare në Luginën e Preshevës.”
Kujtojmë se, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka përkrahur iniciativën për shkarkimin e Ardita Sinanit nga pozita e kryetares së Preshevës.
Nga ana tjetër, gjatë një takimi të zhvilluar sot me përfaqësuesit e Luginës, ku e pranishme ishte edhe Sinani, Kurti bëri thirrje që të mos mbështeten tentimet për acarim mes shqiptarëve, pjesë të së cilës e pa edhe synimin për ta rrëzuar nga pozita e kryetares së Preshevës Ardita Sinianin.
“Pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, znj.Ardita Sinani. Përçarja e ndarja janë gabim dhe bëhen dëm.”