Pas mbledhjes që pati me Komisionin e Rithemelimit, ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë një prononcim për mediat nga selia e PD. Berisha u pyet se nëse me ardhjen e tij në PD rrezikon shpalljen “non grata” nga SHBA e gjithë partia, ku shpreh se as Yuri Kim, as Zeusi Rama nuk ka e s’do kenë kurrë tagër të caktojnë kryetarin e PD.
“Kryetari i PD u shkarkua në datën 11 dhjetor me votat 4446 vota të delegatëve e 44 mijë vota të anëtarëve të saj më 18 dhjetor. Përveç anëtarëve të PD me votën e lirë, asnjë njeri cilido qoftë ai, as guvernatorja as Zeusi Rama nuk ka e s’do kenë kurrë tagër të caktojnë kryetarin e PD. Një përpjekje e dështuar si e kam vlerësuar për të ndërhyrë në shkelje flagrante të Konventës së Vjenës e sovranitetin e një force të lirë politike. Kam pasur rastin të dërgoj mesazhin e përsëris publikisht këtu se kurrë as kryetarin e as kryesinë s’do mund të caktojë kush për këtë parti përveçse anëtarësia e saj” – tha Berisha.
Ndërkohë ai u shpreh se Enkelejd Alibeaj është kryetari i grupit parlamentar dhe natyrisht grupi parlamentar drejtohet nga Kryesia e grupit parlamentar. Për këtë, në raste të caktuara komisioni i Rithemelimit mund të ndërhyjë pa asnjë lloj mëdyshje por s’kemi arsye se linja jonë politike është e qartë.
“Ai është kryetari i grupit parlamentar, natyrisht grupi parlamentar drejtohet nga Kryesia e grupit parlamentar. Kërkesa e vetme është kjo që vendimet për drejtimin e grupit që është politik të merren nga kryesia e grupit e në raste të caktuara komisioni i Rithemelimit mund të ndërhyjë pa asnjë lloj mëdyshje por s’kemi arsye se linja jonë politike është e qartë”- u shpreh Berisha.