25 intelektualë letër drejtuar deputetëve të Kuvendit të miratojnë reformën
Ismail Kadare, Dritëro Agolli dhe 23 intelektualë të tjerë, kanë nënshkruar një letër në të cilën i kërkojnë deputetëve të kuvendit të Shqipërisë të miratojnë reformën në drejtësi. Ata e konsiderojnë si momentin më të rëndësishëm për Shqipërinë pas rrëzimit të sistemit komunist, pasi kjo reformë kushtetuese i ndalon njerëzit e inkriminuar e të korruptuar të hyjnë në politikë dhe në organet e drejtësisë, pastron parlamentin, administratën dhe partitë nga njerëz që kanë bërë krime apo që kanë vënë pasuri të paligjshme.
Letra
Nisur nga momenti historik dhe rëndësia e jashtëzakonshme e kësaj reforme, është më mirë që secili prej jush, deputetëve të këtij Kuvendi, nesër kur të hyni në seancën për miratimin e reformës të dëgjoni në radhë të parë e mbi të gjitha zërin e qytetarëve të këtij vendi që ju kanë votuar dhe të pyesni e vendosni me përgjegjësinë e ndërgjegjes suaj.
Ne jemi të bindur se reforma do të bëhet. Po është mirë të bëhet tani. Sepse këtu ndahet e shkuara me të ardhmen. Ky moment i hap Shqipërisë perspektivën evropiane, ndaj dhe në favor të kësaj perspektive duhet të vendoset pa hezitim nga ju që populli shqiptar u ka votëbesuar.