Ditën e sotme, në një deklaratë, avokatja e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë, Lyudmyla Denisova, është shprehur se dyshohet se rreth 150 deri në 300 trupa të civilëve ukrainas të rënë nga lufta mund të jenë groposur në një varr masiv pranë një kishe në qytetin e Bucha.
Gjithashtu, nëpërmjet një postimi në rrjetet e saj sociale ajo shkruan se trupat e të vdekurve të cilët u gjetën nëpër rrugë po mblidhen nga forcat e rendit për të kryer ekzaminimet e nevojshme. Megjithatë, ajo nuk tha se si autoritetet arritën në vlerësimin e numrit të viktimave në varrezat masive.
Së fundmi, bëhet me dije se deklarata e avokates vjen, pasi Ukraina publikoi fotografi të civilëve ukrainas të vrarë në rrugët e Bucha, me banorët të cilët shprehen se viktimat u vranë nga ushtarët rusë pa asnjë arsye.
Nga ana tjetër, Moska ka këmbëngulur se forcat e saj janë të pafajshme për vrasjet që kanë shkaktuar pretendime për krime lufte.