Një situatë e pazakontë është krijuar në Partinë Demokratike, ku pavarësisht se flitet për bashkim dhe ri-organizim të strukturave, ka një ndasi të madhe mes Komisionit të Rithemelimit, ku bën pjesë edhe ish-Kryeministri Sali Berisha, dhe atyre që mund të konsiderohen si kundërshtarë, apo mbështetës të Lulzim Bashës.
E ndërsa Grupi i Rithemelimit, bazuar edhe te vendimi i Gjykatës së Tiranës, ka marrë selinë e PD, e cila pas çbunkerizimit po rikonstruktohet, në anën tjetër faqen zyrtare të PD në rrjetet sociale, kontrollohen nga ish-drejtuesit e kësaj partie, të cilët janë vendosur me zyra te Torre Drini.
Kjo ka bërë që në jo pak raste deklaratave të Grupit të Rithemelimit apo anëtarëve të tij, ish-drejtues apo edhe ata që konsiderohen si drejtues të Grupit Parlamentar të PD, ti kundërvihen në rrjetet sociale, duke krijuar një situatë amullie.
Faqja zyrtare e Partisë Demokratike nuk është marrë ende në dorëzim nga Komisioni i Rithemelimit, ndërsa mësohet se aksesin në këtë faqe e ka një ish-deputet, i pozicionuar në krah të Lulzim Bashës. Dhe përmes aksesit në rrjetin social, publikohen qëndrime që krijojnë përplasjen dhe amullinë mes demokratëve.
Kjo gjë u vu re edhe gjatë kësaj të shtunë, ku personat që e përdorin këtë faqe nuk e shpërndan deklaratën e dhënë nga deputetja Albana Vokshi në selinë blu apo aktivitetin e zhvilluar në Shkodër me rastin e përkujtimit të martirëve të 2 prillit, ku merrnin pjesë drejtues të Partisë Demokratike dhe shumë deputetë të kësaj force politike.
Gjatë orëve të mesditës, nëpërmjet kësaj faqeje, është bërë një reagim ndaj deklaratës së ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili theksoi nga Shkodra se opozita nuk do të votojë kandidatin që do të propozohet nga Partia Socialiste për president.
Në reagimin e bërë në Facebook, njerëz pranë Lulzim Bashës thonë se nuk ka nisur asnjë diskutim përsa i përket çështjes së presidentit të ri të vendit.
Nga anëtarë të Grupit të Rithemelimit mësohet se në këtë grupim që kontrollon faqen zyrtare të PD në rrjetin social përveç Lulzim Bashës dhe disa ish-sekretarëve të emëruar prej tij në javët e fundit, para dorëheqjes, përfshihen edhe Gazment Bardhi, i cili ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm, apo Enkelejd Alibeaj, që njihet si Kryetar i Grupit Parlamentar, dhe që në mbledhjen e fundit pati një përplasje tjetër me ish-Kryeministrin, duke vijuar të mos e konsiderojë si pjesë e PD. Dhe nisur nga postimi i sotëm në faqen zyrtare të PD në Facebook, shpjegohet edhe fakti mbi qëndrimet e shprehura publikisht nga Alibeaj, i cili vijon ta konsiderojë veten si kryetar të komanduar të PD, ndërsa nga Komisioni i Rithemelimit konsiderohet vetëm Kryetar i Grupit Parlamentar.