Luiza Gega ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në Europianin e Amsterdamit, duke fituar medaljen e argjendit në 3000 metra me pengesa, që ishte edhe një rekord kombëtar. Por fatkeqësisht, së bashku me trajnerin Taulant Stërmasi vazhdojnë të jenë të vetëm në përpjekjet e tyre, që i kanë çuar në majat e atletikës së kontinentit.
Në Shqipëri është jashtë vëmendjes, madje kjo kampione e madhe, kur mbërrin në Tiranë vrapon në kodrat e liqenit artificial, ndërkohë që prej kohësh tenton medalje. Në prag të botërorit të sallave të mbyllura, meqenëse këtu nuk ekzistojnë të tilla, Gega u stërvit në Kenia. Sipas trajnerit Stërmasi, atletja e tij mund të merrte edhe medalje ari në Hollandë dhe kjo nuk ndodhi për shkak të problemeve teknike në kalimin e pengasave, pasi stërvitja me to u krye në një kohë shumë të kufizuar.
“Të tjerët shpenzojnë miliona për atletët e tyre, aq më shumë tashmë në prag të Olimpiadës, ndërsa këtu japin 1 milionë euro për të eleminuarit e futbollit dhe asgjë për medalisten”, citohet të ketë thënë trajneri Stërmasi.