Pas arrestimit të shqiptarit nga Kosova në kufirin Hungari-Serbi, ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Përmes faqes zyrtare në Facebook, MPJD thotë se ende nuk e kanë të konfirmuar se autoritetet serbe mund të kenë ndaluar një qytetar të Kosovës.
“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd ka vendosur tashmë kontaktin me autoritetet serbe në përpjekje për të sqaruar rrethanat”, thuhet në njoftimin.
Po ashtu MPJD sqaron se do të njoftojë për detajet e mëtejshme. Ndërkaq, bëhet e ditur se personi i arrestuar është Abaz Beqiraj. Lajmin e ka konfirmuar, vajza e Abazit, Melihate Beqiraj.
Ajo tha se babai i saj ka qenë në vizitë tek djali i tij në Gjermani ndërsa për arrestimin e tij janë njoftuar nga kompania me të cilën ishte duke u kthyer në Kosovë.
Po ashtu vajza dëshmoi se babai i tyre është i sëmurë dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme të tilla më parë.