Nga Arben Llalla
Diplomatja Aleksandra Papadhopulu ka shërbyer disa vite përfaqësuese e Greqisë në zyrën diplomatike të saj në Shkup. Pas kësaj detyre ajo u dërgua si ambasadore e përhershme e Greqisë në BE, por në tetor 2015 pas disa mosmarrëveshjeve me ministrin e jashtëm Nikos Kotzias u shkarkua.
Gjatë kohës që diplomatja e Greqisë, Aleksandra Papadhopulu punonte në Shkup u zbuluan rrënjët e saj shqiptare, pra arvanitase. Me anë të një diplomati shqiptar asaj i dhurova dy librat e arvanitasit të shquar, Aristidh Kola, të cilat m’i pati dhënë vetë autori. Bëhet fjalë për librat “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve”, dhe “Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviçit” të botuar në gjuhën greke.
Pas leximit të këtyre dy librave Aleksandra Papadhopulu shfaqi interes rreth arvanitasave dhe origjinës së tyre të vërtetë.
Thuhet se shkak për shkarkimin e saj në vitin 2015 si ambasadore e Greqisë në BE u bënë disa direktiva jo të drejta të ministrit Nikos Kotzias në lidhje me marrëdhëniet greko-shqiptare.
Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Greqisë për shkarkimin e ambasadores Papadhopulu, Nikos Kotzias deklaroi: “Kur një ministër vendos veton për një çështje të rëndësishme kombëtare, asnjë diplomat nuk e ka të drejtën të mos e respektojë, edhe kur është nën presionin e të tretëve”.
Në fjalimin e tij Nikos Kotzias la të kuptohet se fjala ishte për një veto ndaj Shqipërisë në BE, për të cilën ambasadorja tashmë e shkarkuar Aleksandra Papadhopulu nuk kishte votuar kundër, pra nuk kishte zbatuar urdhërat e ministrit të jashtëm Kotzias.