Deputeti demokrat, Belind Këlliçi, ka kërkuar edhe njëherë ditën e sotme largimin e Bashës, duke e quajtur atë një politikan toksik. Gjatë një interviste televizive ai tha se, Lulzim Basha është i vetëm në Partinë Demokratike pasi të gjithë e kanë braktisur. Këlliçi tha se Lulzim Basha në 8 vite është kujdesur të vrasë garën, votën e lirë dhe konkurrencën.
“E kanë braktisur mbi 95 për qind e grupit parlamentar, që kanë kërkuar dorëheqjen e tij, nga uzurpimi që i ka bërë zyrës. Ka patur pak prej tyre që kanë kërkuar dorëheqjen edhe të zotit Berisha, por nga cili pozicion”, tha Këlliçi.
Këlliçi është i mendimit se është e pakuptueshme se përse qëndron ende në zyrë Lulzim Basha në kohën kur të gjithë e kanë braktisur. Sipas tij Basha po i shërben Ramës që të qëndrojë në pushtet.