Protesta për rritjen e çmimit të naftës sot ka një pjesëmarrje më të gjerë të qytetarëve. Ata kanë protestuar në disa qytete, ndërsa kanë nisur të bllokojnë dhe akse të rëndësishme rrugore.
Raportohet se është bllokuar edhe Rruga e Kombit! Qytetarët kanë rreshtuar mjetet e tyre pranë Rrëshenit në Mirditë duke bllokuar të gjithë rrugën e të mos lejojë qarkullimin e asnjë mjeti tjetër. Protestë po zhvillohet edhe në Tiranë, Shkodër, Durrës e të gjithë Shqipërinë.
Qytetarët po protestojnë edhe në Korçë, ku pjesa më e madhe e protestuesve janë fermerë të cilët preken në mënyrë direkte nga rritja e çmimit të naftës.
Në Lushnjë qytetarët kanë bllokuar qarkullimin në rrethrrotullimin e Plukut, ndërsa në Prrenjas protestuesit bllokuan për disa minuta rrugën kryesore Prrenjas-Qaf Thanë.
Për të dytën herë ditën e sotme, qytetarët janë ngritur edhe në Shkodër, ku paradite ishin studentët që ngritën zërin e tyre kundër rritjes së çmimeve, ndërsa pasdite protestuesit janë nga shoqëria civile.