Nga Klodian Tomorri
Në Britani çmimi i naftës në pompë ishte 149 pens për litër në datën 1 shkurt. Sot është 157 pens. Pra me gjithë këtë luftë dhe çmenduri në tregje, çmimi i naftës për anglezët u rrit me 8 pens ose 5.3 për qind.
Në Tiranë dje çmimi i naftës ishte 195 lekë për litër. Sot është 230 lekë për litër. Pra çmimi i naftës për shqiptarët u rrit me 35 lekë ose 23.5 pens për litër ose 18 për qind brenda natës.
Krahasojeni me Italinë keni pak a shumë të njëjtat raporte. Krahasojeni me të gjitha vendet në Europë. Janë prapë këto raporte. Shikojeni dhe arkivën e lajmeve. Nuk keni për të gjetur kurrë një rast të vetëm në botë, kur çmimi i naftës në pompë të jetë rritur me 20 cent të euros brenda ditës. Thjesht nuk mund të ndodh edhe matematikisht sepse kostot nuk ndërtohen brenda natës. Lerë pastaj, që një kompani sot e rriti brenda sekondës nga 200 lekë në 230 lekë. Brenda sekondës vajti bleu anijen ky, e shkarkoi dhe e shperndau nëpër pikat e pakicës me çmimin e ri.
Çfare ndodh këtu? Dollari nuk u rrit me 13 për qind brenda natës, që të jetë pasojë e kursit. Nafta nuk u rrit me 13 për qind brenda natës. Dhe edhe nëse do ishte rritur, tregëtarët shqiptarë nuk u furnizuan pikërisht në sekondin e parë pasi ndodhi rritja. Dhe nëse do ishte rritur me 13 për qind efekti i çmimit në pompë duhet të ishte vetëm 7 për qind. Gjysma e çmimit final formohet nga taksat dhe s’ka lidhje me çmimin në bursë.
Tregtarët tanë kanë primin më të lartë se sa vendet e tjera. Dakord. Por primi nuk kërceu brenda ditës.
He pra, çfarë ndodh këtu?
Kur filloi përplasja me Rusinë, në fjalën ku shpalli sanksionet, Joe Biden, pasi i shpjegoj popullit pse po merreshin masat, iu drejtua kompanive të naftës. “Mos e shfrytezoni këtë situatë për të nxjerrë fitime të padrejta mbi qytetarët”- u tha.
E keni dëgjuar kryeministrin shqiptar ju t’u drejtohet kompanive të karburanteve mos spekulloni me çmimet? Unë nuk mbaj mend ta këtë bërë ndonjeherë.
Kryeministri ynë e ka gati formulën për t’i ikur përgjegjësisë. “Çmimet i vendos tregu, qeveria nuk ndërhyn tek çmimet.” Priteni se do ta dëgjoni shumë shpejt këtë fjali. Në mos e ka thënë sakaq.
Me gjasa kompanitë e naftës kanë rritur marzhin për te qënë të sigurtë nga luhatjet. Por ky nuk është marzh normal, është spekullativ. Megjithatë, siç thotë dhe kryeministri; qeveria s’ka punë me çmimet.