Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se i ka dorëzuar qytetin e Shkodrës Tom Doshi duke poshtëruar socialistët dhe qytetarët shkodranë. Zhupa shprehet se Ramës i duhen kriminelë të korruptuar në mënyrë që ai të vazhdojë vjedhjen në Shqipëri. Sipas saj, Tom Doshi pasi vendosi për kandidaten e Bashkisë së Shkodrës, riktheu në postin e kryeinspektorit të Veriut në IMT, të besuarin e vetë.
“Edi Rama i ka dorëzuar Shkodrën Tom Doshit, duke poshtëruar socialistët dhe shkodranët. I zhytur në korrupsion siç u tregua dhe nga afera e inceneratorëve, Ramës i duhen sot kriminelë e të korruptuar për të vazhduar të vjedhë Shqipërinë. Pazari i radhës Rama -Doshi u mbyll ne rezidencën qeveritare. Doshi blen votat për Ramën dhe Rama i dorëzon pushtetin në Shkodër, Doshit. Efektet shihen. Pasi emëroi kandidaten për kryebashkiake në Shkodër, Tom Doshi rikthen në detyrë edhe Serdar Hoxhën, në postin e kryeinspektorit për Veriun në Inspektoratin e Ndërtimit. Riemërimi i tij në këtë post ka për qëllim blerjen e votave në zonën e Velipojë gjë të cilën ai e bëri dhe në zgjedhjet e përgjithshme. Serdar Hoxha i besuari i Tom Doshit, ka akoma në prokurori një dosje të paverifikuar për të shkuarën e tij kriminale. Gjate zgjedhjeve te përgjithshme ishte kandidati i Tom Doshit. Tom Doshi, njeriu që vendos për gjithçka në Shkodër në emër të Edi Ramës, emëron persona të inkriminuar për të përfituar vota”– tha Zhupa.
Zhupa më tej tha se aleanca e Edi Ramës me Tom Doshin edhe pas shpalljes së tij non grata nga SHBA, nuk është ndalur asnjëherë. Sipas saj, Doshi ka përfituar miliona euro nga qeveria e Edi Ramës, për t’i përdorur ato për blerjen e votave ashtu siç bëri në masakrën e zgjedhjeve të 25 Prillit, me të njëjtën skemë po vepron dhe sot së bashku me non gratën tjetër.
“Aleanca e Edi Ramës me Tom Doshin edhe pas shpalljes së tij non grata nga SHBA, nuk është ndalur asnjëherë. Tom Doshi ka përfituar miliona euro nga qeveria e Edi Ramës, për t’i përdorur ato për blerjen e votave ashtu siç bëri në masakrën e zgjedhjeve të 25 Prillit, me të njëjtën skemë po vepron dhe sot së bashku me non gratën tjetër. Emërimi i njerëzve të Tom Doshit tregon se vota e socialistëve përdoret për pushtetin e Tom Doshit. Shkodranët në 6 mars do të vendosin nëse do ta lënë bashkinë në administrim të TOM DOSHIT, apo do të refuzojnë non gratat. Demokratët në 6 mars do të vendosin nëse do ta kenë bashkinë në administrim të LSI dhe Ilir Metes që ta përdorë për hallet e tij. Zgjedhja s’ka qenë kurrë më e qartë: Kandidatët e Doshit e Metës apo birin e tyre Xhemal Bushatin! Partinë e non-gratave, apo Partine Demokratike të Shqipërisë! Aleancën me SHBA, apo aleancën e non gratave? Kush zgjedh partinë e re të Metës dhe Berishës, mban Doshin dhe Ramën” – u shpreh Zhupa.