Manja: Tashmë Prokuroria do të jetë një institucion i pavarur jo më i centralizuar
Kthehet shumica e cilësuar për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Komisioni i posaqëm i reformës në drejtësi ka vendosur në mbledhjen e sotme, zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm me 3/5 e votave të kuvendit. Deputeti socialist i këtij komisioni, Ulsi Manja, tha se projektligji i ri garanton pavarësinë e Prokurorisë. “Ky projektligj ka parashikuar kushtet dhe kriteret të detajuara në lidhje me zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, por formula është pjesë e amendamenteve kushtetuese dhe formula është formulë kushtetuese që i janë dorëzuar tashmë Kuvendit.
Sigurisht, Prokurorin e përzgjedh Kuvendi me propozim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë me një mandat 7 vjeçar pa të drejtë ripërtëritjeje dhe sigurisht me shumicë të cilësuar prej 3/5. Një çështje e dytë që vlen të theksohet është se Prokuroria nuk do të jetë më institucion i centralizuar dhe se prokurorët do të mbajnë përgjegjësi për çështjet hetimore, ashtu sikurse do të jenë të pavarur në këtë drejtim”, tha deputeti socialist.
Zgjedhja e prokurorit të përgjithshëm është kryer deri tani me shumicë të thjeshtë. Vendimi ishte marrë në ndryshimet në kushtetutë në vitin 2008, kur dhe u ndryshua edhe sistemi zgjedhor bashkë me kompetencat dhe zgjedhjen e presidentit të republikës.