Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali replikoi me kryedemokratin Lulzim Basha në seancën parlamentare ditën e sotme.
Spiropali i është përgjigjur Bashës se sot kërkon hetim nga drejtësia ndërkohë që vazhdimisht ka hedhur akuza se reforma në drejtësi është e kapur nga shumica. Ajo shtoi se e lejuan ngritjen e Komisionit Hetimor por fjalën e fundit mund ta thotë vetëm SPAK.
“Është i njëjti njeri që javë pas jave përsërit që reforma në drejtësi është e kapur nga shumica. Është po ai që flet për hetime nga institucione që janë krijuar nga vullneti i kësaj shumice. Për të parë si është drejtësia sot ne duhet të shohim si ishte drejtësia dje. Kush e mendonte që kryebashkiakë, udhëheqës politikë, ministra të merreshin në hetim e jo më të dilnin para gjykatës. Përsërit numra se nga matematika nuk merr vesh. Sot merret e pyetet nga prokurorë belgë dhe bën sikur nuk i ka thënë ky. Normal se nuk e di çfarë thotë. Nuk ishte replikë. Patjetër që ne lejuam të ngrihej komisioni për hetimin e procedurave, por në fakt është për menaxhimin e mbetjeve që ishte bërë mullar në këtë vend. Edhe pse ishte në hetim nga SPAK e morëm këtë vend për t’iu dhënë ju mundësinë sepse nuk kemi gjë për të fshehur. Drejtësia po bën punën e saj. Nëse ka pasur vepra të tjera penale e përcakton prokuroria. As ju dhe zonja Tabaku që bën si prokurore. Del e shpall njerëz fajtorë. Ne nuk çojmë njerëz në burg. Atë e bën drejtësia. Jemi ndarë nga ai sistem kur njerëz në pushtet qëndronin të paprekur. E kemi bërë ne dhe jemi krenarë për këtë. Kjo ka kostot e veta dhe jemi të gatshëm t’i mbajmë. Me sistemin e pandëshkueshmërisë nuk na lidh asgjë. Kemi marr vendimin për ta çliruar këtë vend nga ju. Pushteti kushtetues i është kthyer prokurorëve shqiptarë. Sado që flisni këtu me gjuhë prokurori por me vepra fajtori nuk i bindni dot qytetarët e Shqipërisë. Ju jeni të pavërtetë në ato që bëni dhe thoni. Ju bëni garë kush është më radikali, kush do çojë më shumë njerëz në burg”, u shpreh Spiropali.