Nga: Skënder Minxhozi
Kongresi i 19 marsit ka rindezur zjarrin e vjetër të debatit brenda PS. Një parti e mësuar me këtë ritual që nga dita e parë e themelimit të saj. Megjithëse u shty për në fillim të pranverës, megjithëse pritet të ketë ndryshime statutore që synojnë t’ja bëjnë më të qetë jetën kryetarit Rama, sërish forumi më i lartë i PS ka shkaktuar valët e para sizmike. Dhe ashtu siç pritej, i pari që i dha startin këtij tërmeti të vogël të brendshëm, është personi që shumëkush e ka parë këto dhjetë vjetët e fundit, si rivalin kryesor të Edi Ramës për poltronin e kryetarit: Ben Blushi.
Ka mjaftuar shkëndia e ndezur nga Blushi, që opinioni publik të risjellë në mendje sindromën e famshme të KPD-së së dikurshme, të një kohe kur partia më e madhe e të majtës nuk kishte një rivale të vogël brenda krahut të saj ideologjik dhe kur Ilir Meta i zhvillonte betejat me Nanon nga njëri kat në tjetrin, brenda godinës së partisë.
Ikja e LSI në vitin 2004 dhe dalja e partisë në opozitë një vit më vonë, i qetësoi ujrat në PS. Por vetëm përkohësisht. Pasi në dallim nga Fatos Nano që iku dhe nga Ilir Meta që krijoi strehën e tij politike, Edi Rama i zgjedhur në tetor 2005, kishte projektin e tij të qartë politik: atë lançimit brenda PS të një gjenerate të re drejtuesish, të cilët do të mbartnin stampën e tij politike. Një proces ky që nuk ka kaluar pa turbulenca dhe vrenjtje buzësh. Më së pari nga ana e Ben Blushit dhe përkrahësve të tij, e më tej akoma nga ana e brezit të vjetër të politikanëve që Rama gjeti në PS, me Gramoz Ruçin në krye.
Sot këto frymëzimë alternative janë dobësuar, me forcimin gradual të Ramës dhe prurjet e reja që ai ka sponsorizuar në të gjitha shkallët e Partisë Socialiste. Por dy vjet qeverisje problematike dhe një sjellje përgjithësisht shpërfillëse e kryetarit ndaj strukturave të partisë dhe oponentëve të tij, ka bërë që zërat kundër të fillojnë të dalin nga letargjia politike. Dhe ku i dihet, kongresi mund të jetë momenti që Rama të përballet jo më me murmurimat nën zë të atyre që nuk e duan, por me diçka shumë më të organizuar. Me gjasë kryeministri po e ndjen dhe vetë pozitën delikate ku ndodhet, për pasojë ka shpejtuar të shuajë shpresat e rivalëve, përmes ndryshimeve në statut, që do e bëjnë të pa sfidueshëm mandatin e tij në krye të partisë.
Gjithsesi klima në PS, dy vjet e gjysëm pas marrjes prej saj të frenave të qeverisjes, nuk është nga më të favorshmet. Me një bazë partie që ka jo pak arsye për të qenë e pakënaqur, me kundërshtarët brenda forumeve që po fillojnë të ngrenë zërin dhe të ashpërsojnë kritikat, si dhe me reformat e që po vonojnë të japin rezultate dhe akuzat në rritje për korrupsion e keqqeverisje, Rama do ta ketë më të komplikuar drejtimin e anijes së maxhorancës. Aq më tepër, në kushtet kur aleati kryesor në koalicion dhe opozita, po vijojnë të bëhen kërcënuese për stabilitetin e kabinetit të tij.
Në këto kushte, kongresi vjen në momentin më të papërshtatshëm, pasi një pjesë nga axhenda e maisur e problemeve rrezikon të derdhet rrezikshëm në foltoren e këtij forumi të lartë. Duke krijuar situata që sot është e vështirë të kalkulohen.