Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha kreut të degës së Fierit, Agron Kapllanajt se ka përfituar nga ndërtimet.
Në një postim në facebook, Bardhi thotë se Kapllanaj sulmohet sepse ka zgjedhur PD-në dhe demokratët. Lidhur me akuzat e ndërtimeve, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, shprehet se Berisha duhet të pyesë familjarët e tij se me kë po i ndërton pallatet Rama tek lagjia “5 maji”.
“Sulmet e Sali Berishës kundër demokratëve janë të padenja, por fatmirësisht, të padëmshme. Ato mbeten mashtrime të një politikani me karrierë të mbaruar dhe të mbyllur me turp! Agron Kapllanaj është një nga demokratët më të votuar dhe më të respektuar në zonën e Fierit.
Agron Kapllanaj ka zgjedhur PD dhe demokratët, prandaj sulmohet paturpësisht nga Sali Berisha. Asnjë mashtrim i Sali Berishës nuk e ndryshon dot faktin se demokratët kanë zgjedhur të ardhmen, jo hallin e tij personal. Demokratët po e braktisin dita ditës.
Se me kë po i ndërton pallatet Edi Rama dhe Erion Veliaj tek 5 Maji, Sali Berisha duhet të pyesë familjarët e tij. Kush është miku trafikant droge në Spanjë që në kundërshtim me ligjin ka fituar tenderin e rindërtimit nga Erion Veliaj? Pse e fsheh Sali Berisha me mashtrime? E vërteta që do të dal shumë shpejtë është aq e dukshme, sa shpifjet e Sali Berishës nuk e mbulojnë dot” – shkruan Bardhi.
Më herët, ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi me mbështetësit e tij në Patos, ka akuzuar kryetarin e PD-së në Fier, Agron Kapllanaj se ka përfituar miliona euro me ndërtimet nga bashkitë socialiste. Për këtë, Berisha ka akuzuar dhe kryedemokratin Basha, pasi sipas tij, sëbashku me 4 persona të tjerë kanë shitur selinë e PD-së për t’u ndërtuar pallate.