Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ftuar Sali Berishën që të shkojë në Kuvendin e PD të datës 18 Dhjetor që ka shpallur Basha.
Në një lidhje live për emisionin Opinion, Basha tha se në Kuvendin e 18 Dhjetorit do të mbahen diskutimet e demokratëve.
“Vullneti juaj (i demokratëve) nuk do të bëhet fli për interesat personale të një njeriu të vetëm. Asgjë nuk do ndodhë më 11 Dhjetor. Ashtu sic i foli dhe vetë koshienca nuk ka Kuvend më datë 11. Ka një tubim të thirrur, nga Berisha ku me siguri mund të ketë demokratë nga ata që janë të çoroditur dhe të manipuluar nga Sali Berisha. Ka faktorë të tjerë që duan ta përçajnë PD. Është Edi Rama, është trekëndëshi i Bermudës. E di shumë mirë që pas Sali Berishës, radhën e kanë të tjerët. Më 18 Dhjetor është Kuvend Kombëtar i PD, nëse do të përballet me debat, argumente, Sali Berisha të vijë në Kuvendin e demokratëve. Kuvendi i demokratëve është në 18 Dhjetor. Më 11 Dhjetor është përpjekja e fundit i tubit të oksigjenit të Edi Ramës. Në 18 Dhjetor është Kuvendi Kombëtar i demokratëve”, u shpreh Lulzim Basha.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Në bisedën e sotshme me Escobar, cili ka qenë thelbi i bisedës dhe keni biseduar për Sali Berishën?
Lulzim Basha: Thelbi ka qenë mbështetja e pakushtëzuar e SHBA-së për PD-në për të çrrënjosur korrupsionin dhe për të vendosur në shinat e demokracisë, në shinat e stabilizimit dhe në shinat e mirëqenies për shqiptarët. Ka qenë besimi i investuar i SHBA-së tek PD, jo vetëm si një alternativë, por si një siguri për shqiptarët për të dalë nga gjendja e mjerueshme e vendit.
Pyetje: Zoti Basha, Sali Berisha ka qenë një lider korruptuar apo jo? Se u diskutua dhe këtu në studio që ju keni thënë që unë nuk besoj që ai ka qenë i korruptuar por këtë vendim e morën SHBA-të. Tre muaj pas kësaj deklarate keni ndërruar mendim apo i qëndroni sërish asaj?
Lulzim Basha: Zoti Fevziu, gjithë kolegëve tuaj gjatë gjithë kësaj kohe, as nuk kam ndërmend, dhe as nuk ndryshoj qëndrimin tim për të komentuar një vendim të SHBA-së. Dua t’u kujtoj që unë dhe praardhësi im Sali Berisha kemi ndarë një qëndrim sa herë SHBA dhe departamenti i shtetit kanë shpallur persona non-grata dhe kemi kërkuar përjashtimin e tyre nga politika. E kemi bërë këtë sepse kemi pranuar prej fillimit si të gjithë shqiptarët SHBA-të dhe Departamentin Amerikan të shtetit si një juri të demokracisë, të zbatimit të ligjit dhe nga njëra anë e citojmë DASH, raportin e fundit të DASH-it që thotë se Shqipëria është sot vendi më i korruptuar në Ballkan. Dhe nga ana tjetër kur na cenohet interesi personal, shpifim dhe shpikim çdo lloj skenari për t’i ikur të vërtetës.
Pyetje: Pasnesër pritet që kontestuesit tuaj të mbledhin Kuvendin. Zoti Berisha deklaroi që kam 5 mijë vota dhe do të marrin vendime. Nëse në këtë Kuvend mblidhet mazhoranca e delegatëve dhe marrin vendime. Do t’i njihni ju këto vendime?
Lulzim Basha: Mesazhi i parë që i jap çdo demokrati dhe çdo demokrateje të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike të Shqipërisë, ju që qëndroni të bashkuar në një betejë të jashtëzakonshme, me plotë sakrifica kundër një regjimi të korruptuar që do të shembet fal qëndresës tonë dhe falë shumicës absolute të shqiptarëve që nuk e duan këtë gjendje e duan ndryshimin edhe më shumë se më 25 prill kur na e mohuan ndryshimin përmes masakrës zgjedhore, ju them të gjithëve ju: Jam krenar të jem në krye të betejës për të përmbysur këtë regjimin dhe për t’i hapur rrugë Shqipërisë demokratike, Shqipëri e vlerave, Por kjo Shqipërie vlerave nuk mund të vijë përmes gënjeshtrës. Sot është dita për të thënë që Partia Demokratike nuk do t’i nënshtrohet më kurrë gënjeshtrave, shpifjeve, mashtrimeve.
Pyetje: Kush ka gënjyer, kush ka shpifur, kush ka mashtruar në PD?
Lulzim Basha: Sali Berisha i serviri sonte për herë të fundit shqiptarëve duke shtrembëruar, gënjyer gjithçka vetëm për interesin e tij personal. Jam këtu për të garantuar çdo demokrat se vullneti juaj, sakrifica juaj nuk do të bëhen fli për interesat personale të një njeriu të vetëm.
Pyetje: Tani çfarë do të ndodhë nëse ata janë shumicë?
Lulzim Basha: Asgjë nuk do të ndodh në datën 11 dhjetor. Ashtu siç foli dhe vetë koshienca, nuk ka Kuvend në datë 11, ka një tubim të thirrur nga zoti Berisha në të cilin me siguri mund të ketë demokratë, nga ata që janë të çoroditur dhe që janë të manipuluar nga Sali Berisha. Ka faktorë të tjerë që duan ta përçajnë Partinë Demokratike, janë Edi Rama, është “Trekëndëshi i Bermudës” i cili ka dalë haptaz për të përçarë Partinë Demokratike.