Ambasadori Brownfield theksoi se mbështetja e SHBA do të jetë e vazhdueshme edhe në fazën e implementimit të reformës në drejtësi dhe ngritjes së institucioneve të reja
Gjatë qëndrimit në Uashington, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka takuar Ndihmës Sekretarin e Shtetit, ambasadorin William Brownfield.
Në njoftimin e zyrës së shtypit të Kuvendit thuhet se Meta e njohu Ndihmës Sekretarin e Shtetit me ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe ndryshimeve të Paketës Kushtetuese, duke vlerësuar se proçesi tashmë ndodhet në fazën e tij përfundimtare, atë të miratimit, pas paraqitjes së Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias dhe interpretimit të misioneve të asistencës ligjore të SHBA dhe BE, OPDAT dhe EURALIUS.
Meta theksoi se asistenca e ekspertëve amerikanë për projektimin, ngritjen dhe trajnimin e institucioneve të reja që parashikon paketa kushtetuese, veçanërisht njësia e Prokurorit Special Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, është e një rëndësie themelore për suksesin e reformës.
Kryetari i Kuvendit kërkoi gjithashtu mbështetjen e SHBA-së për një prezencë aktive për monitorimin gjatë fazës së implementimit të reformës, për proçesin e vetingut dhe trajnimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të sistemit të ri të drejtësisë.
Ndihmës Sekretari i Shtetit, vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë në rrugën e reformave dhe theksoi se SHBA mbështesin miratimin sa më parë të Reformës në Drejtësi, si një hap i rëndësishëm për rritjen e standardeve të sigurisë dhe shtetit ligjor të një vendi partner, anëtar në NATO dhe kandidat për në Bashkimin Evropian.
Ambasadori Brownfield theksoi se mbështetja e SHBA do të jetë e vazhdueshme edhe në fazën e implementimit të reformës në drejtësi dhe ngriatjes së institucioneve të reja që ajo parashikon, përmes financimit të projekteve të trajnimit dhe përmirësimit teknologjik të strukturave të specializuara të zbatimit te ligjit.