Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ishte sot në Komisionin e Sigurisë, ku bëri të gjitha sqarimet lidhur me ligjin për kthimin e dekretit të Presidentit të Republikës për ligjin “Për të huajt”.
Çuçi renditi anët pozitive të këtij ligji, nga leja e qëndrimit te kuota për punësimin e tyre në vendin tonë.
Fjala e Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi
Faleminderit kryetar,
Të nderuar deputetë, në radhë të parë më lejoni që t’ju uroj punë të mbarë komisionit në këtë legjislaturë. Dhe do të doja që të jepja disa komente apo qëndrime në lidhje me çdo argument që ka parashtruar Presidenti i Republikës, në dekretin e tij për kthimin e ligjit për të huajt që e miratuam në Kuvendin e Shqipërisë në legjislaturën e kaluar. Po mundohem t’i marr me radhë në mënyrë që të jem sa më shterues.
Lidhur me sygjerimin e Presidentit se, apo argumentin e Presidentit se nisma të tilla legjislative duhet të shqyrtohen përmes një procesi sa më të gjerë konsultimi me aktorë të shoqërisë civile dhe organizatat ndërkombëtare.
Më lejoni t’ju sqaroj se ky projekt është diskutuar gjerësisht me të gjithë organizatat dhe shoqërinë civile, qoftë ata ndërkombëtarë qoftë ato vendas, dhe madje ka pasur dhe një takim të posaçëm vetëm për të diskutuar në lidhje me këtë ligj në datën 9 dhjetor 2020, ku kanë marr pjesë përfaqësues të UNHCR, të delegacionit të BE, organizata ndërkombëtare për migracionin siç janë “IOM-i” apo “Caritas”, apo edhe ato shqiptarë, siç është organizata për shërbimet shqiptare për refugjatë emigrantë, apo shërbimi ligjor falas “TLAS”, si dhe me pjesëmarrjen e sindikatave apo shoqatave të ndryshme të punëtorëve, bizneseve, turizmit etj.
Ndërkohë që ligji ka qenë i hapur për konsultim publik nga data 4 deri në datën 30 dhjetor 2020, në një platformë që është një platformë e posaçme për konsultim publik që tashmë e ka ngritur qeveria shqiptare dhe funksionon prej më shumë se dy vjetësh.
Dhe gjithashtu një dokument shumë i rëndësishëm që lidhet me këtë çështje, dhe që në fakt përshkon dhe shumicën e pikave apo vërejtjeve që ka pasur Presidenti i Republikës në lidhje me këtë ligj, siç është vlerësimi që do të ketë ky ligj, apo impaktin ekonomik shoqëror të këtij ligji në vend, ka një dokument të posaçëm të procesit që quhet “RIA” apo që është vlerësimi i ndikimit të ligjit. Një dokument që është pjesë përbërëse e të gjithë praktikës së miratimit të ligjit. Dhe tek ky dokument është bërë pikërisht një vlerësim i gjerë i impaktit që do të sjelli ligji i ri për të huajt.
Në lidhje me qëndrimin e presidentit se ligji i 2013-ës që shfuqizon ky ligj është ligj relativisht i ri dhe ka pësuar ndryshime disa herë. Më lejoni të sqaroj se pikërisht kjo është edhe arsyeja e një nisme të re, për aq kohë sa jemi në kushtet ku ligji ekzistues kërkonte përafrim me një sërë direktivash të Bashkimit Evropian, pra të legjislacionit për trajtimin e të huajve me direktivat e BE.
Projektligji adreson edhe rekomandimet që dolën nga i gjithë procesi i konsultimit, pra ka qenë një nevojë për të pasur një legjislacion të ri. Rekomandimet e organizatave ndërkombëtare, aktorëve të shoqërisë civile dhe institucioneve të pavaruara dhe pajtueshmërinë e dispozitave të ligjit për të huajt me të drejtat dhe liritë e parashikuara në Kushtetutë dhe instrumentat ndërkombëtarë të ratifikuara nga Shqipëria që ishte i bërë pjesërisht në ligjin ekzistues për këtë.
Paralelishit me detyrimet të të huajve që parashikoheshin në një masë të madhe edhe tek ligji ekzistues, ligji aktual për të huajt përcakton qartë dhe detyrimin e autoriteteve përgjegjëse që gjatë vendimarrjes në lidhje me të huajt, të zbatojnë dispozitat në përputhje me të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara nga Kushtetuta dhe Konventat ndërkombëtare të ratifikuara.
Pra ka pasur një mangësi të dukshme në lidhje me detyrimet që kanë organet kompetente për të respektuar të drejtat kushtetuese edhe të të huajve apo atyre që kërkojnë të punësohen, apo të qëndrojnë në Shqipëri.
Gjithashtu projektligji synon përmirësimin e mekanizmave të nevojshëm për lëshimin e vizave elektronike online, pra një shërbim tashmë i ri që aplikohet gjerësisht me revolucionin dixhital që ka bërë qeveria shqiptare, ne do ta aplikojmë edhe për të pajisur me, pikërisht me leje qëndrimi të huajt nëpërmjet aplikimit, apo nëpërmjet duke filluar nga vizat elektronike online dhe deri tek lejet e qëndrimit.
Dhe për këtë arsye sigurisht që do të duhej që të kishim ndryshime edhe në legjislacionin ekzistues. Por hendeku kryesor i identifikuar në ligjin aktual për të huajt, është fakti se ligji aktual nuk kishte parashikuar, apo nuk ka parashikuar përderisa është në fuqi akoma lëshimin e një “leje të vetme”, gjë që në fakt është dhe në përputhje me Direktivën 2011/98/BE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 13 dhjetor 2011, “Për procedurën e vetme të aplikimit për një leje të vetme për shtetasit e vendeve të treta për të punuar dhe qëndruar në territorin e një shteti anëtar dhe për një grup të përbashkët të drejtash për punëtorët e vendeve të treta që qëndrojnë në mënyrë të ligjshme në një shtet anëtar”. Kjo ka qenë tërësisht e parregulluar, madje e papërmendur fare, e patrajtuar fare në legjislacionin shqiptarë. Dhe për këtë qëllim është punuar specifikisht për nene të reja në projektligj, të cilat rregullojnë pjesën e tregut të punës dhe lëshimin e lejeve të qëndrimit, me qëllim integrimin e lejes unike, si një nga objektivat kryesorë të punës. Kjo leje do të sjellë ndryshime thelbësore duke garantuar një procedurë të vetme aplikimi, për një “leje të vetme”, për të huajt që synojnë të punojnë dhe qëndrojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Lidhur me shqetësimin e Presidentit mbi kërkesat e larta të shtetasve shqiptarë për azil në vendet e BE-së apo mbi tkurrjen e popullsisë nga migracioni, më lejoni të sqaroj se ky nuk është objekt i ligjit “Për të huajt”, dhe besoj se nuk është rasti për ta diskutuar këtë gjë sepse në asnjë nen të ligjit, sigurisht që nuk trajtohet kjo çështje. Dhe sigurisht që ky ligj synon përmirësimin e fushës së të drejtave të të huajve në Shqipëri në drejtim të mbrojtjes së emigrantëve dhe anëtarëve të tyre të familjes, refugjatëve, azilkërkuesve, garanton akses në programet dhe shërbime integrimi për të huajt, mundësinë e ofrimit më të mirë të informacionit, si dhe forcimin institucional të ofrimit të shërbimeve për migrantët. Pra trajton vetëm marrëdhënien e të huajve me shtetin shqiptarë.
Projektligji sigurisht që rregullon regjimin e hyrjes, qëndrimit, punësimit dhe daljes së të huajve në apo nga Republika e Shqipërisë dhe në asnjë moment nuk afekton çështjet e trajtuara nga Presidenti i Republikës, të cilat në këtë rast me duken se janë të qarta të natyrës politike dhe nuk lidhen me objektin e ligjit të miratuar, pra nr. 79/2021, që është kthyer nga Presidenti. Për sa i përket komenteve të Presidentit mbi citimin e disa dispozitave, të cilat sipas Presidentit të Republikës krijojnë lehtësira jo proporcionale për punësimin e të huajve, më lejoni të sqaroj se:
Për çdo prej dispozitave ne kemi sqaruar se jemi në kuadër të përafrimit me direktivat e BE, të cilat preken po ashtu dhe me synimin e përmirësimit të vazhdueshëm të kuadrit legjislativ të migracionit, duke përafruar më tej legjislacionin për migracionin, me direktivat përkatëse të Bashkimit Evropian, të evidentuara tashmë gjatë procesit Screening të Kapitullit 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, duke garantuar pajtueshmërinë e dispozitave të tij me të drejtat dhe liritë e parashikuara në Kushtetutë dhe instrumentet ndërkombëtarë të ratifikuar, në mënyrë të veçantë për të siguruar që dispozitat e tij të jenë në përputhje me parimin e interesit më të mirë të fëmijës, parimin e të drejtës për jetë familjare, parimin e moskthimit dhe parimin e procedurave të drejta dhe transparente. Parime këto që janë mishëruar edhe në Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.
Ky projektligj ka si qëllim përmirësimin e mekanizmave të nevojshëm për lëshimin e vizave elektronike online, , siç thashë edhe më lart, duke synuar zgjidhjen e problematikave të ndeshura gjatë zbatimit të legjislacionit ekzistues, lidhur me pamundësinë për të mbuluar shumë vende me misione diplomatike apo poste konsullore.
Projektligji në dispozitat e tij plotëson një nga mangësitë e legjislacionit të mëparshëm që ka të bëjë me pajisjen me leje unike, e cila garanton një procedurë të vetme aplikimi për të huajt, që kanë për qëllim të punojnë dhe qëndrojnë në territorin e Shqipërisë.
Gjithashtu, projektligji synon përmirësimin e dispozitave të lidhura me çështjen e punësimit të shtetasve të huaj në Republikën e Shqipërisë, duke qartësuar afatet kohore dhe procedurat për t’u pajisur me leje unike, si dhe duke reduktuar pengesat e panevojshme për punësimin e të huajve në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Dhe një risi e projektligjit është edhe që përcakton mundësinë për të pajisur me leje qëndrimi edhe për kategoritë e të huajve të cilët kanë hasur vështirësi në të kaluarën, si pensionistët e huaj apo personat pa shtetësi, të cilët kanë qenë tërësisht të pambuluar nga legjislacioni ekzistues.
Në lidhje me komentet mbi mos marrjen në konsideratë të punësimit të shtetasve shqiptarë duke i shtyrë më tepër për ikjen e tyre, sqarojmë se:
Nuk ka vend, madje s’ka vend fare që të bëhen krahasime të tilla me situatën për të cilën shprehet Presidenti, siç ju thashë, pasi ky ligj ka objekt tjetër vendimmarrje dhe nuk lidhet me çështjet e brendshme mbi politikat e punësimit të të rinjve shqiptarë. Por lidhet pikërisht me trajtimin e të huajve që duan të jetojnë dhe punojnë në Shqipëri.
Gjithashtu, edhe këtu ka një risi dhe duke iu referuar parashikimeve të ligjit të ri “Për të huajt”, konkretisht nenit 74, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive jep miratimin për punësim për shtetasit e huaj, vetëm nëse aplikimi për punësim nga ana e tyre është brenda kuotave vjetore të miratuara për vendet vakante për punëkërkuesit e huaj, si dhe duke i dhënë fillimisht përparësi punëkërkuesve të papunë shqiptarë. Pra edhe këtë gjë e rregullon në mënyrë shumë të qartë ligji i ri.
Në lidhje me komentet mbi nenin 69 dhe nenin 71, parashikimet e të cilit lënë vend për interpretime subjektive, sipas Presidentit, si dhe vendosin rregullime të cilat mbivendosen me legjislacionin në fuqi, ju sqarojmë se këto dy dispozita kanë kritere specifike, të cilat nuk lënë asnjë vend për abuzim dhe nuk janë kritere të përgjithshme. Kriteret më të detajuara do të jenë sigurisht punë e komisionit respektiv, i cili ka përgjegjësinë administrative dhe penale në raste të caktuara, nëse shkelen detyrimet e vendosura në ligj dhe akte ligjore.
Në lidhje me komentin se aplikimi për punësim mbetet thjesht deklarativ, më lejoni të theksoj se nuk kemi të bëjmë me një dispozitë deklarative dhe të pa aplikueshme, pasi kemi të bëjmë me afate të aplikueshme dhe kritere në përputhje me kuadrin rregullator vendas dhe të mirëaplikuar madje edhe deri tani në proceset e ngjashme. Afatet janë në kuadër dhe të procedurave elektronike, – pra ka ndryshuar rrënjësisht mënyra e aplikimit – për shkëmbimin dhe plotësimin e dokumentacionit brenda institucioneve të administratës shtetërore, procedura të cilat realizohen maksimalisht në afate 2 (dy) ditore. Tashmë kjo është bërë një praktikë rutinë në administratën shqiptare ku nuk është më personi që do të marrë shërbim apo informacion nga institucionet për të cilat institucionet shtetërore janë të detyruara për t’ia dhënë, por ky proces bëhet brenda vetë administratës publike dhe ky është një afat që tashmë aplikohet edhe në procese të tjera administrative, pra afati maksimalisht 2-ditor. Ndërkohë referuar dispozitës, afati është 10 (dhjetë) ditor, kohë më se e mjaftueshme për vlerësimin dhe miratimin nga strukturat respektive.
Në lidhje me komentin se shtetasit e huaj mund të punësohen në RSH jo vetëm duke u pajisur me leje unike, por dhe thjesht me një qëndrim të njëanshëm të shprehur me VKM, konstatojmë se ky parashikim është keqinterpretuar dhe keqkuptuar nga Presidenti i Republikës, pasi pika 8 e këtij neni është në harmoni me pikën 1 dhe kriteret, dokumentacionin dhe çdo aspekt tjetër ligjor në përputhje me këtë ligj dhe marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat do të jenë të mirë sanksionuara në aktin nënligjor të Këshillit të Ministrave.
Faleminderit për vëmendjen