Nga :Afrim Krasniqi
Për herë të tretë në dy vjet kabinetet qeveritare të Tiranës dhe të Prishtinës zhvilluan takime të përbashkëta. Kjo është një praktikë e re ndërshqiptare, por me histori 5-7 vjeçare në disa modele ndërshtetërore evropiane, përfshirë edhe vende fqinje. Në lexim protokollar takime të tilla janë të domosdoshme, mbeten pozitive dhe përbëjnë një hap cilësor bashkëpunimi rajonal. Dy qeveritë përfaqësojnë dy shtete të një kombi, janë qeveri legjitime pro evropiane, interesat shtetërorë, ekonomikë e intrigues mbeten të njëjta, midis dy vendeve ka hapësira pafund bashkëpunimi dhe se në shumë aspekte sfidat janë të përbashkëta.
Në lexim politik dhe ekonomik bilanci I bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës paraqet ende diferencë të madhe midis retorikës politike që palët përdorin dhe shifrave krahasimore në praktikë. Sipas INSTAT (Instituti i Statistikave Shqipëri) vetëm gjatë 60 ditëve të fundit (prill 2016) Kosova është shteti me të cilin Shqipëria ka shënuar uljen më të madhe nga prilli 2015, rreth 31.4%. Edhe sipas ASK (Agjensia e Statistikave të Kosovës) në prill 2016 Shqipëria mbetet prioritare në listën e vendeve të CEFTA me 15.6%, ndjekur nga Maqedonia (12.1%), Serbia (8.9%) dhe Mali i zi (4.2%). Kurse në fushën e importeve ndryshojnë vendet: Serbia është e para me 12.6%, ndjekur nga Maqedonia (5.7%), Shqipëria (5.2%) dhe B&H (3.7%). Referuar INSTAT në listën e mallrave të eksportuara midis Shqipërisë e Kosovës vend kryesor zënë materialet e ndërtimit, ndjekur nga energjia, ushqimi/pijet, dhe në nivele shumë më të vogla lëndët kimike apo produktet e tjera industrial dhe konsumatore. Në importe Kosova nuk është në listën e shteteve kryesore, dhe në këtë zë, dominuese mbeten makineritë e pjesët e këmbimit me adresar kryesisht Italinë dhe Kinën. Trendi ruhet i njëjtë prej vitesh: Kosova përbën tregun e dytë kryesor të eksportit kryesisht materiale ndërtimi dhe lëndë energjie, me një rënie nga 1.2% e totalit të eksporteve më 2013 në 1.0% të totalit për 2015, ndërkohë që Serbia zë kuotën prej 3.8%, Italia 30% dhe madje edhe Kroacia me 1.4% më 2015. Volume tregtar me Kosovën (2015) zë 3.4% të totalit dhe Serbia 3%.
Treguesit ekonomikë nuk janë gjithçka midis ekonomive kryesisht të varfra dhe me kapacitete konkurruese minimale, siç janë ekonomitë e Kosovës dhe Shqipërisë. Bilanci pasurohet në nivelin politik dhe fusha të tjera aktive, përfshirë çështjet arsimore, sociale, kulturore, sportive, etj. Duke analizuar edhe ecurinë e bilancit në këto fusha, rezultatet e arritura janë shumë larg pritshmërive dhe premtimeve të bëra nga qeveritë e dy vendeve. Fakti se më 2016 nënshkruhen disa marrëveshje, përfshirë ato për qendra trajnimi të përbashkëta, apo për hetime doganore, etj, e para pa ndonjë rezultat të pritshëm dhe e dyta një detyrim ndërkombëtar i vonuar, apo se vlerësohet lart marrëveshja e re për shkëmbimet në fushën e transportit ndërkohë që dy qeveritë janë në fazat e fundit të vendosjes së taksave shtesë kufizuese të lëvizjeve Tiranë – Prishtinë dhe anasjelltas, – tregon se më shumë se projekte konkrete bashkëpunimi dy qeveritë janë duke kërkuar pretekste numerike protokollesh për të mbushur sadopak boshllëkun e bashkëpunimit të munguar.
Premtimet e takimeve të para midis dy qeverive për intensitet bashkëpunimi midis biznesit të dy vendeve kanë dhënë rezultate minimale, premtimet për shkëmbimet arsimore e shëndetësore janë gjithashtu pa bilanc pozitiv, premtimet për frymë të re në marrëdhëniet në nivelet e larta janë simbolike dhe se premtimet në fushën e turizmit, kulturës apo trashëgimisë janë dukshëm larg në bilanc, në vizion dhe në ecuri konkrete. Leximi është i thjeshtë: le të kërkojnë të gjejmë marrëveshjen e fundit milionere midis biznesit privat të Shqipërisë dhe Kosovës, rastin e fundit kur një kompani e njohur ka arritur të fitojë tendera në shtetin tjetër, rastin e fundit të botimeve të përbashkëta qoftë edhe në fushat albanologjike, rastet e fundit të shkëmbimit midis stafeve akademike universitare dhe studentëve të ekselencës, rastin e fundit të ekspozitave të përbashkëta ndërkombëtare apo edhe të ndërtimit të rrjetit spitalor kufitar të përbashkët. Ose nuk ka të dhëna, ose datojnë shumë herët, ose janë nisma të lëna përgjysmë ose ka raste kur shpjegimi më shumë lidhet me njohje personale të liderëve drejtues politikë sesa logjikës institucionale të bashkëpunimit.
A mund të bëjnë qeveritë tona diçka konkrete së bashku? Po. Disa orë pas mbledhjes në Prishtinë një prej politikanëve – biznesmenë më të njohur në Kosovë propozoi të paktën katër nisma konkrete ekonomike. Në mediat e Tiranës gjithashtu individë të pavarur nga axhendat e qeverive ofruan ide konkrete bashkëpunimi. Zëri i tyre me siguri nuk u dëgjua në mbledhjen e Prishtinës dhe as në atmosferën propagandistike të saj. Siç nuk janë dëgjuar më parë propozimet për reformim tërësor të marrëdhënieve dypalëshe, për programe universitare cilësor ndërshtetësore, për sistem shkollor dhe tekste shkollore të unifikuara në treguesit e cilësisë, për njësi të përbashkëta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për një sistem efikas shkëmbimi informacioni midis sektorëve të sigurisë apo për ngritjen e ekipeve të përbashkëta të ekspertëve për të aplikuar për fonde komunitare. As Shqipëria dhe as Kosova nuk arritën, edhe për faj të tyre, të përfitojnë nga Procesi i Berlinit, kurse dy fqinjët e tjerë më lindore përfituan shumëfish më shumë se ne. As Shqipëria dhe as Kosova nuk kanë aktualisht asnjë projekt të rëndësishëm ekonomik në zbatim dhe as në negociata për mbështetje financiare nga institucione ndërkombëtare.
Për më tepër, ka detaje që dëshmojnë mungesë serioziteti dhe sjellje institucionale në bazamentin e bashkëpunimit. Siç ishte rasti i lojës disavjeçare me Shëngjinin, si port për Kosovën, dhe ndryshimi 180 gradë vetëm pak javë më parë, siç është procesi i lejimit të fabrikimit të diplomave universitare për klientët universitarë nga Kosova, siç janë incidentet e vazhdueshme lidhur me tregun ekonomik dhe produkte të veçanta midis dy vendeve, siç kriza për tokën e ambasadës shqiptare në Kosovë desh u njësua me krizat politike, siç dështuam të informojnë njëri tjetrin për ekstremistët drejt Sirisë, siç njëri kryeqytet në emër të politikës së ditës dëboi apriori një shtetas të lirë të vendit tjetër, apo siç, kemi refuzuar e vazhdojmë të refuzojnë dy vendet, të kemi qoftë edhe një drejtori të vetme në shtetet respektive, që të mbulojë rregullisht dhe të koordinojë bashkëpunimin dypalësh.
Rreziku më i madh i mungesës së bilancit nuk lidhet vetëm me nivelin e seriozitetit të vendimmarrësve politikë, sepse kjo mbetet traditë prej më se 7-8 dekadash, por është përpjekja për të imponuar modelin politik të njëjtë: shumë zhurmë, shumë propagandë, shumë imazh, shumë fjalë dhe pak rezultate, shumë akuza për korrupsion e skandale, shumë operacione financiare e politike të personalizuara, shumë politikanë të inkriminuar, – tek qytetarët e dy vendeve. Me siguri qytetarët në Tiranë e Prishtinë kanë pritur e presion një politikë tjetër, një elitë politike tjetër, një sjellje tjetër, shumë më modeste, më transparente, më pak arrogante, më të përgjegjshme, më evropiane dhe më të ndjeshme ndaj moralitetit dhe integritetit politik e shtetëror. Nëse ne I rrisim fëmijët tanë, në dy anët e kufirit, duke u imponuar modele lokale që nuk kanë asgjë të përbashkët me modelet e shoqërive të zhvilluara demokratike, – atëherë ne rrezikojmë të mos humbim vetëm të sotmen, por edhe të tashmen e fëmijëve, të shoqërive dhe të shteteve. Një tragjedi, që është luajtur e po luhet, dhe që duhet të marrë fund, sa më parë, aq më mirë.
Së fundi, qeveria në Tiranë dhe në Prishtinë kanë një privilegj të madh: ata mund të mësojnë prej të tjerëve. Le të pyesin ambasadorët respektivë për mbledhjet e përbashkëta midis kabineteve në Berlin e Varshavë, Romë e Lubjanë, Zagreb e Vjenë, Uashington e Meksiko, Paris e Londër, Suedi e Danimarkë, dhe në mos 100%, le të bëjnë edhe ato 10% të atyre që ata bëjnë: gjëra konkrete, shumë më tepër marrëveshje sesa kamerave televizive, shumë më tepër akte konkrete sesa selfe midis liderëve, shumë më tepër axhendë qytetare e shtetërore sesa axhendë ditore e protokollare.