Pandemia është lehtësuar tashmë dhe pothuajse e gjithë Europa po merr frymë lirisht pas 14-15 muajsh shumë të vështirë.
Vendet po rihapen gradualisht dhe lëvizjet kanë rifilluar me kujdes, duke u kërkuar udhëtarëve dokument PCR negativ, dëshmi që e kanë kaluar Covid-19, ose janë vaksinuar. Nëse do të ketë një valë tjetër nga shtatori, kjo është e vështirë të thuhet, por gjithsesi imunizimi natyror dhe vaksinimi do të ndikojnë pozitivisht që situata të jetë më e lehtë.
Pandemia nuk kaloi pa kosto. Rritja e vdekshmërisë shtesë ishte e lartë, duke ndryshuar sipas shteteve, në varësi se cili e priti valën e parë, apo se si reaguan shtetet me shërbimin mjekësor dhe rreptësinë e karantinës.
Që me fillimin e pandemisë, Eurostat nisi publikimin e vdekjeve javore dhe vdekjeve shtesë. Tek këto të fundit përfshihet dhe Shqipëria.
Për këtë periudhë, fatalitetet u rritën me 41%, ndërsa shteti i dytë pas nesh me rritjen më të lartë është Çekia, me 25% e ndjekur nga Sllovakia me 24%.
Nga shtetet e rajonit, sipas Eurostat, Mali i Zi kishte rritje të vdekjeve shtesë me 21.5% në 54 javë pandemi, ndërsa shteti që e ka kaluar më lehtë është Serbia, me +9.3%. Të dhënat e Maqedonisë së Veriut mungojnë, por shifrat kombëtare, të publikuara nga Instituti Statistikor i Maqedonisë së veriut tregojnë se nga marsi 2020 deri në fund të marsit 2021, vdekjet u rritën me 24%. (pas një zgjerimi vjetor prej 31%, për shkak të një tremujori të katërt shumë vdekjeprurës, në tremujorin e parë 2021, pandemia ishte më e kontrolluar në shtetin fqinjë).
Si e vunë nën kontroll pandeminë Italia e Spanja dhe si u rrit vala në Shqipëri në dimër
Italia ishte e para që u përball me pandeminë, me një rritje të vdekjeve progresive prej 53% deri në 6 prill. Më pas, vala ishte më vdekjeprurëse në Spanjë, që kulmoi me rritje të vdekjeve progresive deri në 75% në javën e parë të prillit dhe në Belgjikë (38% deri në 20 prill). Pas goditjes së parë, këto shtete morën masa të rrepta dhe vera pa në rritje më të ngadaltë të vdekjeve shtesë. Në 54 javë pandemi, Spanja shënoi një rritje të fataliteteve me 19.5% dhe Italia me 17.5%, në raport me mesataren e të njëjtës periudhë 2018-2019.
Suedia, e cila sfidoi botën me modelin liberal që e përballoi pandeminë në muajt e parë, shënoi një rritje progresive të vdekjeve që kulmoi në +23% deri në 18 maj, më pas situata u lehtësua dhe në 54 avë pandemi, rritja e fataliteteve ishte 9.4%.
Por, shtete të tjera të Europës Veriore, që u treguan më konservative panë një rritje shumë më të ulët të vdekshmërisë shtesë në këto 54 javë, si Norvegjia që e kishte shtesën negative (-2.45%), apo Danimarka me +0.26%.
Vala e dytë e pandemisë, që nisi pas verës u zhvendos në shtetet e tjera, ku më të goditurat ishin Çekia, Sllovakia, Polonia, Sllovenia. Në muajt e parë të vitit 2021, pandemia u vu nën kontroll në pjesën më të madhe të Europës për shkak të rikthimit të karantinave të ashpra.
Shqipëria filloi të ndjejë pandeminë që nga korriku, duke shënuar rritje të vazhdueshme të vdekjeve progresive, pasi vendi filloi të lironte masat shtrënguese që nga fundi i majit. Vala e vërtetë nisi në nëntor, kur vendi zgjodhi të kalojë pandeminë pa kufizime të tjera të rrepta (mbyllja e mars-majit ishte fatale për ekonominë vendase, që ra me 10.5% në tremujorin e dytë 2020, me bazë vjetore, sipas INSTAT).
Nga fillimi i nëntorit rritja e vdekjeve progresive i kaloi 25%, dhe dhjetori u mbyll me +35%, duke kaluar e para në Europë (për Maqedoninë e Veriut, ky tregues ishte +31%).
Në muajt e parë të 2021-it, shifrat e INSTAT tregojnë se vdekjet shtesë ishin minimale në pjesën më të madhe të Europës, me përjashtim të Shqipërisë, që thelloi diferencën me shtetet e tjera, duke kulmuar me një shtim të fataliteteve në 54 javë pandemi, prej 41%, gati dy herë më e lartë se shteti që vjen pas nesh i dyti në renditje.
Shifrat e INSTAT konfirmojnë tendencën
Të dhënat e publikuara nga INSTAT më herët bënë të ditur se nga prilli 2020 deri në mars 2021, u shënuan rreth 9,300 vdekje shtesë në krahasim me periudhat përkatëse të vitit të mëparshëm, kur virusi nuk ishte i pranishëm. (për të njëjtën periudhë, zyrtarisht janë 2423 vdekje Covid).
Gjatë kësaj periudhe 12 mujore (prill 2020-mars 2021) kanë humbur jetën rreth 31 mijë persona, nga 21.8 mijë persona në prill 2019-mars 2020, me një rritje prej rreth 42.7%.
Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2021 janë shënuar gjithsej rreth 9,657 vdekje, me një rritje prej 55.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020 dhe me 52% në raport me mesataren 2016-2019. Ndërkohë, Eurostat raportoi se në dy muajt e parë të 2021, vdekshmëria e tepërt në BE filloi të binte: + 17% në janar dhe + 5% në shkurt pas më shumë + 40% në nëntor 2020 (krahasuar me mesataret e të njëjtave muaj në 2016 – 2019). Sidoqoftë, ajo u rrit përsëri në Mars (+ 10%) dhe Prill 2021 (+ 21%).
Rritja e fataliteteve në vend nisi që në tremujorin e dytë 2020 (+4.6%), pasi vendi filloi të dilte gradualisht nga karantina, u përshpejtua në tremujorin e tretë (+32.3%) dhe kulmoi në tremujorin e katërt, me një rritje prej 73% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pasi qeveria nuk zgjodhi të ndërmarrë masa të ashpra karantine, vdekshmëria e lartë shtesë vijoi edhe në tremujorin e parë të këtij viti (+56%), ndryshe nga pjesa tjetër e Europës, që arriti të frenonte virusin përmes izolimeve më të rrepta./Monitor
/Revista Monitor/