Greqia të lejojë varreza të civilëve shqiptarë çamë, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë, sepse vetëm ata mbetën në territorin e saj, dhe një monument përkujtues të tyre. Greqia të heqë monumentin e Zervës, se ai i turpëron
Nga Shpëtim idrizi
Kam vendosur të flas sot për një arsye thelbësore. Për pak ditë do të vizitojë Shqipërinë, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias. Nuk kam kuptuar diçka do të festohet 45 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, apo 20 vjetori i firmosjes së Traktatit të Miqësisë. Ndaj sot dua të flas për të dyja pse këto dy ngjarje nuk kanë shenjuar heqjen në mënyrë përfundimtare të njollave të zeza dhe të përgjakshme të së kaluarës, jo dhe aq të largët, mes dy kombeve tona. E kam fjalën për Ligjin e Luftës së 1940, dhe gjendjen e Luftës që ekzistoi dhe ekziston mes nesh krejtësisht në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, pavarësisht vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe firmës së Traktatit të Miqësisë.
Të nderuar deputetë,
nuk dua të helmoj atmosferën edhe kështu të rënduar në marrëdhëniet mes dy vendeve. Dua thjesht pa komplekset profesionale të ministrit të Jashtëm, të vendos pikat mbi i, për problematikën kryesore mes dy vendeve. Jam i vetëdijshëm për qasjen dinjitoze të diplomacisë sonë në marrëdhëniet me fqinjin tonë jugor, por na duhet më shumë guxim, i themeluar mbi diturinë e lëndës që kontestohet. E vlerësoj përmendjen e Çështjes Çame si çështje për t’u zgjidhur në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, por dua të nënvizoj lidhjen dhe vendin e kësaj çështjeje të përgjakur në gjithë kontekstin e marrëdhënieve dypalëshe.
Po e nis me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë komuniste dhe Greqisë së juntës ushtarake në 1971, me një firmë të hedhur në mjediset e OKB-së në Nju Jork. Greqia, në mënyrë të paprecedentë në marrëdhëniet ndërkombëtare, mbajti mes dy vendeve në fuqi jo thjesht Ligjin e Luftës, por dhe gjendjen e luftës; dispozitivë lufte të ushtrisë greke në kufijtë me ne; legjislacion special në zonat kufitare; mbajtje në këmbë të pretendimeve territoriale, dhe ndoshta dhe armë bërthamore deri në 2001, të fokusuar kryesisht kundër Shqipërisë si ka bërë me dije shtypi grek.
Pse është mbajtur në këmbë Ligji i Luftës? Sepse zoti ministër, dhe të nderuar deputetë, Greqia ka dashur të mbajë në këmbë pretendimet territoriale mbi Jugun tone, sepse ka dashur të bllokojë pronat e qytetarëve shqiptarë në territorin e vet, por dhe për të bllokuar lëvizjen e lirë të tyre në drejtim të trojeve ku kanë lindur, shtëpive të të parëve.
Edhe pas nënshkrimit të Traktatit të Miqësisë 20 vjet më parë, Greqia e mbajti në këmbë Ligjin e Luftës. Për pretendimet territoriale, de jure ka hequr dorë si thotë Traktati në nenet e para, dhe si ka pranuar vetë Presidenti Stefanopulos në një konferencë shtypi me homologun Moisiu. Por, pasuritë që vlerësohen mbi 10 miliardë dollarë mbetën të bllokuara. Në prefekturat e veriut ku kanë jetuar shqiptarët ka patur dhe ka ende regjim special juridik: nuk lejohej shitblerja e pronave, lëvizja e lirë e shtetasve shqiptarë, e gazetarëve dhe veçanërisht, i anëtarëve të komunitetit çam, ishte e kufizuar deri në mohim. Traktati ka patur zbatim vetëm për të drejtat e palës greke dhe asnjë zbatim për ne. Kështu është dhe sot.
A do kuptoni të nderuar zotërinj, se thelbi është në mënyrën sesi Greqia e ka shikuar dhe e shikon Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore? Ky shikim antihistorik, kundër të gjithëve, kundër vetë Greqisë së Metaksait e konsideron Shqipërinë në mënyrë absurde si shtet sulmues, apo pushtues të Greqisë në tetor 1940!!! Këtu është nyja gordiane: me këtë pretekst janë bllokuar pasuritë, me këtë pretekst komuniteti çam u internua dhe më pas ju nënshtrua genocidit të egër në përfundim të Luftës gjoja si popullsi bashkëpunëtore e pushtuesve. Prej këtij preteksti nuk lejohet as gëzimi i të gjithë të drejtave të popullit shqiptar, dikur banues në Greqi dhe në veçanti, nuk lejohet lëvizja e lirë e komunitetit çam. Madje dhe kërkesa absurde greke për të mbjellur varreza ushtarësh në territorin tonë jugor, lidhet me këtë. Sipas kësaj qasjeje, ushtarët grekë ishin pushtues të Shqipërisë, vendit që i kishte sulmuar dhe në të vërtetë ata u sollën si të tillë duke prishur xhamitë, duke hequr flamurin shqiptar, e të tjerë. Greqia të zgjedhë: nëse ishin pushtues, ajo nuk ka të drejtë të kërkojë varreza në territorin tonë dhe ne nuk kemi pse të bëjmë ndaj Greqisë diçka që nuk e kemi bërë ndaj pushtuesve realë, Italisë, e cila i ka tërhequr eshtrat e ushtarëve të saj.
Kjo qasje kokëfortë greke është kundërthënëse. A nuk ishte Metaksai, një fashist i madh që u gëzua naivisht pas pushtimit të Shqipërisë se do ta kishte Italinë fqinje dhe në Veri? A nuk hoqi Greqia misionin e vet diplomatik në Shqipëri me pushtimin italian të saj? Çfarë statusi i dha ajo Mbretit Zog? E kështu me radhë.
Po si mund të mashtrojë Greqia për rolin e popullsisë çame, diçka që është zbuluar dhe nga vetë historianët grekë? Ambasadori amerikan i kohës Lincoln MacVeagh, e dëshmon se popullsia çame nuk ju bashkua pushtuesve. Këtë e pranon dhe vetë Konti Çiano, ideatori i pushtimit grek, që tha se nëse shqiptarët e Çamërisë do të kishin bashkëpunuar, nëse shqiptarët nuk do kishin dezertuar, atëherë fati i luftës me Greqinë do të ishte krejt tjetër. Pra, duket qartë se Greqia do të mbulojë dhe sot këtë njollë turpi në historinë e saj të afërt nëpërmjet një fallsifikimi historik.
Në një fjalim të vetin, kalorësi i humanizmit modern europian, Presidenti Havel thotë: “Një shtet i pastruar etnikisht, është më i keq se komunizmi.” E pra, të nderuar kolegë, Greqia nuk spastroi vetëm çamët për të krijuar shtetin e pastër etnik që ka sot e me të cilin refuzon të njohë të drejtat e arvanitasve, shqiptarëve ortodoksë, turqve, sllavëve, e të tjerë. Greqia spastroi dhe sllavomaqedonasit, ashtu si dhe në fund të luftës pati numrin më të madh të hebrenjve të denoncuar tek nazistët. E pranon historiani grek Margaritis që i quan çamët dhe hebrenjtë, bashkëpatriotë të padëshiruar. Ai me kurajë thotë se Shqipëria komuniste nuk bëri ndaj minoritetit grek, atë që bëmë ne ndaj shqiptarëve dhe se kjo i nderon shqiptarët.
Unë sot dua të pyes palën greke: Nuk do përfundimisht të pranojë ekzistencën e Çështjes Çame? Pse vallë? Apo pse nuk ka prova? Nuk po flasim për asgjësimin e krerëve të Çamërisë në 1913, megjithëse armenët po afirmojnë si të vërtetë absolute, genocidin e kryer në 1915. Po flasim ngjarje të afërta në histori: për vrasjen e afro 5000 grave, fëmijëve, pleqve nga bashkëpunëtori i nazistëve Zerva; për dhunimin e qindra grave; për shkatërrimin e xhamive, pronave, përzënien, jo largimin vullnetar të 30 mijë çamëve në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Atëherë a do Greqia të flasim për çështje shqiptare në Greqi, që përfshin dhe spastrimin etnik të shqiptarëve të Veriut?
Apo do të flasim për një çështje ballkanike të spastrimit etnik të shqiptarëve dhe sllavomaqedonasve?
Apo do të flasim për një shembull të turpshëm global sesi Greqia sot gjoja vend pa minoritete, pasi flaku jashtë dhe me ndihmën e nazistëve, hebrenjtë, maqedonasit dhe sllavët?
Greqia duhet të zgjedhë: ose të merret vesh me ne, ose të pranojë një ndërkombëtarizim të sinkronizuar të kësaj faqeje të turpshme të historisë së saj. Ne nuk kërkojmë asgjë antihistorike, asgjë jashtë rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Por, ne do duhet të rreshtohemi dhe globalisht, nëse Greqia nuk do tërhiqet.
- Greqia duhet të heqë dorë nga cilësimi i Shqipërisë si vend armik, si vend sulmues gjatë Luftës së Dytë Botërore. Le të lexojë historianët e saj më të mirë dhe do bindet. Ne nuk jemi Gjermania dhe as Komuniteti çam nuk ishte si gjermanët e Sudeteve. Ne kemi njësitë tona partizane në Greqi; ne kemi viktima të pushtimit; ne nuk kemi asgjë për t’u turpëruar nga historia e marrëdhënieve me fqinjin tonë. Për pasojë:
- a) Greqia duhet të heqë dorë nga Ligji i Luftës dhe gjithë ligjet e tjera që mbajnë peng të drejtat e shqiptarëve në Greqi;
- b) Të kërkojë falje për genocidin ndaj popullsië çame;
- c) Të lejojë lëvizjen e lirë të të moshuarëve, veçanërisht të këtij komuniteti;
- d) Të zbatojë zgjidhje kolektive mbi pasuritë shqiptare sipas një ligji ad hoc; ose të zbatojë vetë Ligjin e Luftës që nënkupton heqjen e sekuestros mbi pronat shqiptare në fund të konfliktit;
- e) Të lejojë varreza të civilëve shqiptarë çamë, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë, sepse vetëm ata mbetën në territorin e saj, dhe një monument përkujtues të tyre. Le të heqë monumentin e Zervës, se ai i turpëron.
Nëse nuk e bën këtë, unë betohem solemnisht se nuk do të lejojmë kërkime reale dhe imagjinare eshtrash në territorin tonë, dhe aq më tepër kurrfarë varreze të re. Greqia të mbetet me qasjen e vet, ne me tonën!
- f) Sot në vitin e shfuqizimit të Traktatit firmosur njëzet vjet më parë, Të miratojmë një Traktat të ri miqësie, që të parashikojë mekanizma zbatimi realë dhe të shpejtë të kuadrit të lirive dhe të drejtave reciproke në vendet tona!
Ka një zgjidhje të thjeshtë Greqia nëse nuk do të bëjë bujë apo nëse nuk do të na vendosë në pozitë të privilegjuar ne shqiptarët: të amendojë ligjin e riatdhesimit të refugjatëve të 1971, që diskriminon ata ish-shtetas grekë që nuk kishin kombësi greke.
Greqia të nderuar kolegë, nuk mundet të na vendosë në pozita fajtori, apo borxhliu, sepse është e vërtetë e kundërta. Ajo është fajtore dhe borxhlie ndaj nesh. Ne duhet të jemi të vendosur në mbrojtjen e të vërtetave historike duke themeluar mbi to, listën e të drejtave tona.
Rreshtova një listë argumentash, pse zoti ministër, unë dua që ju t’i tregoni profesorit të sociologjisë Kotzias, se pasardhësit e partizanëve grekë të Luftës së Dytë Botërore, nuk mundet të mbajnë ndaj shqiptarëve të njëjtën sjellje si zervistët e EDES-it. Shqiptarët janë vend i NATO-s. Nëse Greqia nuk pranon t’i zgjidhë mbi baza dypalëshe çështjet e së kaluarës, pse i sheh ato me syzet e errëta të saj, atëherë ne do duhet t’i drejtohemi NATO-s, BE-së, gjithë forumeve ndërkombëtare ku bëjmë pjesë.
Në fund kam një sugjerim profesional zoti ministër. Vini në punë vartësit tuaj, që të lexojnë raportet diplomatike të paraardhësve të tyre të Mbretërisë, ambasadorëve që nga Mehdi Frashëri apo të tjerë. Lexojini dhe ju, qëndrimet e paraardhësve tuaj të asaj kohe, Fico, e të tjerë. Kjo vlen dhe për Kryeministrin tonë që duhet t’i referohet jo vetëm në shijet estetike urbanistike, Mbretit Zog, por edhe në qëndrimet e veta ndaj Greqisë. Do të mësoni më shumë mbi reciprocitetin, mbi mbrojtjen e Autoqefalisë së Kishës; mbi hapjen e shkollave shqipe në Çamëri, mbi dinjitetin diplomatik të mbështetur në dituri.