Nga Fahri Xharra
Kur më 1631 boshnjaku Tomko Marnaviçi kishte botuar një libërth, në të cilin pretendonte se Skënderbeu nuk ishte me origjinë shqiptare, por boshnjake, madje nga familja e Marnaviçëve: kjo rrethanë i dha veprës së Frang Bardhit një frymë të mprehtë polemike dhe një stil energjik.
Këtë falsifikim Bardhi e quante të “kobshëm” dhe ai iu vu punës për këtë vepër, pasi po të heshtte, i dukej sikur do të tradhtonte veten dhe atdheun.
Pra, është ndjenja atdhetare ajo që e bren përbrenda autorin. Por, fuqia e mendjes dhe e punës së tij bëhet më e madhe, kur kjo ndjenjë përkon me drejtësinë e çështjes që mbron. Bardhi do t’i japë popullit të tij atë që i përket, duke patur parasysh më tepër të vërtetën se sa atdheun, ashtu siç nuk do t’i lejonte vetes t’i rrëmbente një populli tjetër atë çka i përket atij. Dashuria e tij për atdheun fisnikërohet aq sa është e lartë edhe madhështore ideja dhe ndjenja e së vërtetës: “Unë e mora përsipër këtë barrë,- shkruan Bardhi,- jo për ndonjë arsye tjetër, veç që të qes para syve të tu të vërtetën lakuriqe, të panjollosur, sepse kjo s’ka nevojë të lyhet e të stoliset me fjalë të bukura edhe të rrema”.
“Kurthi i prejardhjeve mbetet nga më të larmishmit në Ballkan. Prejardhja si mburrje. Prejardhja si fyerje. Prejardhja e padurueshme prej tjetrit. Prejardhja e mohuar. Prejardhja e fshehur. Prejardhja e nxjerrë befas si thikë nga mënga, e kështu me radhë”,- shkruan Ismail Kadare.
Kishte burra edhe aso kohe! E kishte Frang Bardhin (1606 – 1643), i cili e kishte dashurinë për atdheun, për të vërtetën, për popullin, për historinë dhe heroin e tij, për gjuhën dhe traditat e larta. Mendjemprehtësia, kultura, horizonti i gjerë dhe aftësia për t’i përdorur me mjeshtëri argumentet janë karakteristika dalluese të veprës dhe të vetë autorit. Ishte pra Frang Bardhi, i cili për të mbrojtur shqiptarësinë e Skënderbeut niset nga argumente të sigurta dhe të shumta historike, pa nënçmuar gojëdhënat. Ai zotëron plotësisht metodën e shkencës historike të kohës dhe vlerëson e krahason në mënyrë kritike burimet historike. Përveç kaq e kaq historianëve në zë që sjell si argumente në mbrojte të tezës së vet të drejtë, Bardhi si një njohës dhe mbledhës i traditës gojore popullore, për të vërtetuar shqiptarësinë e Skënderbeut, shfrytëzon me mjeshtëri të rrallë gojëdhënat dhe faktin që emri i Skënderbeut dhe kujtimi i tij rrojnë të gjalla në ndërgjegjen e popullit.
“Skënderbeu nuk është i hipur mbi pelë qorre, që ta kapë kushdo për freri e ta lidhë në oborrin e vet, por ata shqiptarë që quhen specialistë të historisë së Gjergj Kastriotit e të periudhës së tij, nuk do të duhej ta bënin gjumin rehat nëse i kanë fqinjë hajdutët si autorin e librit të përmendur (Vogëlsia ballkanike përballë Skënderbeutnga Dr. Skënder Blakaj).
Fillimi i shekullit XVII e solli Frang Bardhin, i cili duke vazhduar traditën e Barletit në historiografinë shqiptare dhe duke hapur rrugë në fushën e leksikografisë e të gjurmimeve etnografike, me veprën e tij u bë një figurë e shquar e kulturës shqiptare të shekullit XVII.
Ai lindi në Kallmet të Zadrimës më 1606. Sikurse edhe Budi, krenohej që i përkiste një familjeje, pjesëtarët e së cilës nuk u rreshtuan me pushtuesit. Kemi pak shënime për jetën e tij, por ai lindi aty “tek shkel turku, nuk mbin bar”.
Frang Bardhi e donte gjuhën shqipe dhe shkruante që t’i ndihmonte “…gjuhës sonë që po bastardohet sa më parë të ve …”. Bardhin e brente kështu shqetësimi si ta ruante gjuhën shqipe që të mos prishej e të mos humbiste me të kaluar të kohës në kushtet e pushtimit osman dhe nga ana tjetër t’u shërbente klerikëve katolikë shqiptarë që nuk dinin gjuhën latine. Po sot?
(“Tue pasunë ditë e përditë, të dashunitë e mij, mbassi hina ndë Kolexhë, kujtuem(1) me qish(2) copë librë keshë me ndihmuem mbënjaanë gjuhënë tanë, qi po bdaretë e po bastardhohetë saa maa parë të ve(3); e maa fort me ndimuem gjithë atyne qi janë nd’urdhënitë Tinëzot e të shintesë kishë katolike” (nga Eshref Januzaj, 1996).
“Rrjedhimisht,- vijon Kadare,- rënia e kambanës për poshtërim kërkon një përgjegjësi të lartë morale. Një kushtrim të rremë nuk e ndan veçse një hap nga thirrja për krim kundër tjetrit”.
Fjalori i Bardhit është vepra e parë në leksikografinë shqiptare dhe deri diku vepra më e rëndësishme ndër njëzet e dy fjalorët shqip që do të botoheshin më pas deri më 1850. Me sa duket, ka patur qarkullim të mirë. Më 1759 në depon e Propaganda Fides në Romë gjendeshin rreth 360 kopje të këtij libri.
Ndihmesa e Frang Bardhit për vetë letërsinë shqiptare, parathënia e tij gjashtë faqesh për fjalorin e parë shqiptar, është modeste. Por, duke u nisur nga mungesa e vazhdueshme e shkrimit shqip në gjysmën e parë të shekullit të XVII, vepra e tij nuk është pa rëndësi të madhe. Si humanist me përkushtim të fortë për përparimin e popullit të tij dhe si dijetar me horizont të gjerë kulturor, ai zë një vend kyç në zhvillimin e kulturës së hershme shqiptare.
Por, ajo që të bën ta mbash në mend Frang Bardhin, ashtu si edhe Budin, sepse “që në hapat e parë të jetës së vet, si misionar i fesë, Bardhi hyri në konflikt të hapur me klerin e huaj, madje edhe me ungjin e vet, Gjergj Bardhin, të cilin edhe do ta padise si një nga shkaktarët e vullnetshëm të mbytjes së Budit. Konflikti do të ishte aq i ashpër, sa me një letër drejtuar Vatikanit vetëm 4-5 vjet pasi kishte ardhur në Zadrimë, do të shkruante: “Në qoftë se do të shpëtoj i gjallë nga telashet që më shkakton kryepeshkopi, qoftë ai vetë, qoftë me anën e zotërinjve turq, do të vij në Romë, për t’i treguar të gjitha dhe për të kërkuar ndihmë”.
Bardhi e shikonte detyrën e peshkopit jo thjesht si të një misionari kishtar, por edhe të përgatiste të rinj shqiptarë të shkolluar e t’i vinte fre dërgimit të misionarëve të huaj në viset shqiptare. Ai kërkonte klerikë të arsimuar shqiptarë, që t’u hiqeshin nga duart misionarëve të huaj shkollat që ishin hapur në vendin tonë për qëllimet e tyre të mbrapshta. Ai vetë, kishte nxitur dhe dërguar për studime në Itali, klerikë të vendit, të cilët do të merrnin dorë drejtimin e këtyre shkollave.”
“Dhjetë ose pesëmbëdhjetë turq bashkohen dhe kalojnë nëpër shtëpitë e krishterëve dhe hanë e pinë sa të kenë oreks, gjithë ditën gjithë natën pa paguar asgjë. Ai i shkreti nuk mund të thotë se nuk ka bukë, verë, mish e tagji për kuajt e tyre, sepse ia përmbysin shtëpinë dhe e rrahin egërsisht. Po nuk pati, duhet të lerë peng rrobat e trupit për të ngopur lakmitë e tyre të mbrapshta…”,- ai i shkruante Papës.
E nevojshme për t’u lexuar:
-Filozofia e argumentimit në veprën “Apologjia e Skënderbeut” e autorit Frang Bardhi nga Jeta Deda
-Frang Bardhi (1606 – 1643) nga Eshref Januzaj, 1996
– “Apologjia e Skënderbeut” – Frang Bardhi, citim nga shënimet e përkthyesit të veprës nga Stefan I. Prifti
– “Kontributi për biografinë e Frang Bardhit” nga Dr. Ëngjëll Sedaj
Për shumë mot Pashkët !
04.04 2021, Gjakovë
P.S. Meqenëse vazhdimisht më bllokojnë jo serbë, as grekët, por shqiptarët, shkrimet e mia i gjeni në këtë vegëz: https://www.facebook.com/groups/197317685180738